Më 9 shkurt të vitit 2025 në Republikën e Kosovës do të mbahen zgjedhjet parlamentare të cilat do të vendosin se cili subjekt politik do të qeverisë me vendin, shkruan Telegram News.
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi ka njoftuar tashmë se gjatë periudhës 15 ditore, nga 16 gushti deri më 30 gusht 2024, 12 parti politike kanë njoftuar se do të kërkojnë certifikim përmes koalicionit për pjesëmarrje në zgjedhje për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt.
E derisa po i afrohemi zgjedhjeve shumica e partive politike në Kosovë, kanë filluar t’i largojnë vijat e kuqe për sa i përket mundësive të arritjes së marrëveshjeve për koalicione të mundshme ndërmjet tyre.
Derisa i pari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ishte më i prerë sa i përket mundësisë së koalicionit me Vetëvendosjen. Madje kandidati për kryeministër nga radhët e LDK’së, tha se nuk do pranojë të ia bëj votat Kurtit qoftë edhe nëse i kërkohet nga Amerika, qoftë edhe nëse do të ketë krizë politike në vend.
“Nuk dëgjoj për atë punë. Nuk e bën Lumiri më”– tha Abdixhiku, përcjell TelegramNews.
Kurse edhe anëtari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, deklaroi se AAK’ja do të bënte një gabim nëse do të formonte një koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje pas zgjedhjeve. Madje ai tha se më shumë do ta përkrahte një ide opozita e bashkuar.
Por se këto deklarime parazgjedhore të partive politike në vend, analisti politik Visar Xani nuk po i cilëson si të qëndrueshme pasi sipas tij, pasi ta kemi rezultatin paszgjedhor do të kemi një treg të hapur për koalicione.
“Pas këtyre zgjedhjeve vija të kuqe nuk do të kemi nga asnjë parti politike dhe partia e parë që do ti fitojë zgjedhjet, do ta ketë shumë më të lehtë koalicionin. Për shkak që do të kemi në dispozicion pothuajse të gjitha partitë që do ta kalojnë pragun, për të bërë koalicion, partitë shqiptare dhe partitë të minoritetit jo serb dhe ato që e konsiderojnë Kosovën si shtet të vetin do të jenë të hapura për koalicione”, tha Xani në një prononcim për Telegram News.
Madje sipas tij, vijat e kuqe do të jenë vetëm deri më 9 shkurt, duke aluduar në një koalicion mes LVV’së dhe PDK’së, duke theksuar se të njëjtat e ëndërrojnë një gjë të tillë pavarësisht që e kanë vështirë ta pranojnë publikisht.
“Prandaj këto vijat e kuqe janë vetëm deri më 9 shkurt, në fund të rezultateve por jo edhe të sakta, të vërteta dhe qëndrime serioze të partive politike. Sepse ato mezi e presin rikthimin në pushtet apo këto që janë në pushtet mbajtjen e pushtetit, gjithsesi mbetet të shihet se si do të dalë rezultati i zgedhjeve. Nga ajo që e kemi vërejtur Partia Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje mezi e presin një koalicion të mundshëm mes tyre, madje dëshirojnë shumë strukturat ose figurat kyqe të këtyre partive. Mbase e kanë vështirë ta pranojnë publikisht, por të paktën e ëndërrojnë një bashkëqeverisje pas zgjedhjeve të 9 shkurtit”, theksoi analisti politik.
“Nuk përjashtohet as përfshierja ose koalicioni me partitë e tjera siç është Aleanca, ndoshta pak më pak do të ketë disponim mes Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje por në asnjë mënyrë me vija të kuqe. Pra do të jetë një treg i hapur për koalicione dhe partia e parë do të ketë lehtësisht ndarjen e pozicioneve, sepse do të kenë gatishmëri pothuajse të gjitha partitë. Sepse në momentin që ke më shumë alternativa për koalicion edhe marrëveshja për partinë e parë do të jetë më e lehtë dhe më pak e kushtueshme, në aspekt të pozitave të them sepse do të jetë konkurenca për të marrë pozicione dhe për t’iu afruar partisë së parë”, tha më tej Xani.
Ndryshe, 12 parti politike që kishin njoftuar se do të kërkojnë certifikim përmes koalicionit për pjesëmarrje në Zgjedhje për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025, janë si në vijim:
Partia Demokratike e Unitetit dhe Iniciativa Balli, me emrin e koalicionit: PDU – BALLI KOMBIT;
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate, me emrin e koaliconit: AAK – ALEANCA PËR ARDHMËRINË E KOSOVËS, NISMA – NISMA SOCIALDEMOKRATE, LISTA KONSERVATORE, FORUMI INTELEKTUAL – E – 30;
Naša Inicijativa dhe Bošnjačka Stranka Kosova, me emrin e koalicionit: NAŠA BOŠNJAČKA KOALICIJA;
Demokratska Stranka Bošnjaka dhe Demokratska Stranka Vatan, me emrin e koalicionit: KOALICIJA VAKAT;
Partia Demokratike e Ashkanlive të Kosovës dhe Lëvizja për Bashkëveprim, me emrin e koalicionit: PDAK – LpB;
Partia e Drejtësisë dhe Aleanca Kosova e Re, me emrin e koalicionit: LISTA PËR FAMILJEN, AKR PD.
Gjatë kësaj periudhe (16 gusht – 30 gusht 2024) tre partitë politike të regjistruara që kanë njoftuar se nuk dëshirojnë të certifikohen për zgjedhje, janë: Partia Demokratike e Diasporës, Lëvizja për Bashkim dhe Partia Balliste./E. Salihu/TelegramNews