Deputeti i pavarur i Kuvendit të Kosovës, Haki Abazi, në një intervistë për Telegram News ka folur lidhur me qeverisjen e kryeministrit Albin Kurti për mandatin katër vjeçar, e që sipas tij në krye të pozitave janë persona joadekuat.
Deputeti i pavarur tha se fushata e Kurtit para se të ishte në pushtet, ka ndryshuar prej asaj që tani është në pushtet. Sipas tij premtimet elektorale të kryeminsitrit kanë mbetur vetëm fjalë.
“LVV në momentin kur ka marrë pushtetin për herë të dytë ka ndryshuar plotësisht kursin e veprimit politik duke filluar me vendosjen e njerëzve që më së paku kanë pasur kontribut në arritjen e rezultateve të bazuara në kauzat e ndërtuara në kohën sa ka qenë në opozitë. Premtimi elektoral për drejtësi dhe punë që ka qenë kryefjala e fushatës, lufta kundër krimit të organizuar, korrupsionit, ndalimit të keqpërdorimit të aseteve të shtetit dhe sjellja e një fryme tjetër në qeverisje duke përfshirë sidomos akademinë, institutet, kthimi i vendimit për demarkacion, rishikimi i privatizimit të aseteve të privatizuara gjatë procesit dhe të gjitha këto dhe të tjera janë mbetur vetëm fjalë dhe asnjëra prej tyre nuk ka pasur asnjë tentativë që si kauza të kthehen në veprim për dikastere qeveritare”, tha ai.
Deputeti thekson se njohjet e partneriteti me Bashkimin Evropian dhe ShBA-të është problemi kyç.
“LVV ka dështuar plotësisht që të bëjnë ndryshimin e madh të cilin e ka premtuar dhe ka vazhduar në një tranzicion të stërzgjatur me metoda përafërsisht të njejta sikurse qeveritë tjera por me një gradacion të lartë keqësimit të situatës sa i përket marrëdhënieve ndërkombëtare duke mos arritur në asnjë formë që të vendos marrëdhënie partneriteti me Bashkimin Evropian dhe me SHBA-të, që është një prej problemeve kryesore, të cilën e ka krijuar LVV dhe vet Kurti”, tha ai.
Deputeti foli edhe për drejtësinë në Kosovës, e që sipas tij politika ka pasur gisht në sistemin e drejtësisë.
“Sot në Kosovë ka shumë pak drejësi. Ka një marrëdhënie plotësisht jokooperuese ndërmjet ekzekutivit dhe sistemit të drejtësisë, me ose pa qëllim kritikat e vazhdueshme dhe interferimi i ekzekutivit në sistemin e drejtësisë ka bërë që të mos kemi aspak kohezion sa i përket çështjes së ofrimit të drejtësisë, zgjidhjes së rasteve, inicimit të rasteve nga Prokuroria dhe një stërzgjatje të proceseve gjyqësore. Këto e bëjnë realisht, Kosovën një ndër vendet që më së paku ka zgjidhje të rasteve dhe shpejtësia me të cilën rastet shqyrtohen rrjedhimisht edhe policia hetimore e cila është në duart e ekzekutivit nuk ka treguar suksesin e duhur pikërisht për shkak se qartazi politika ka interferuar me punën dhe veprimet e policisë hetimore. Dhe si rrjedhojë, premtimi për drejtësi në fakt është një nga premtimet që nuk është plotësuar as përafërsisht”, tha Abazi.
Abazi foli edhe për dështimin “kryesor” të Qeverisë Kurti, gjithashtu theksoi se në këtë mandat kjo qeverisje ka ndikuar në zvogëlimin e demokracisë.
“Dështimi kryesor i Qeverisë Kurti dhe legjislacionit gjithashtu shumicës në parlamentin e Kosovës është mungesa e plotë e kohezionit të veprimit demokratik, marrja e vendimeve jashtë institucioneve dhe vendosja e gjitha kompetencave në duart e njerëzve të cilët as nuk janë të zgjedhur e as nuk janë të nominuar nëpërmjet proceseve institucionale. Nëse do të shikojmë në përgjithësi mandatin katër vjeçar është zvogëlimi i demokracisë mungesa e plotë e transparencës dhe llogaridhënies në vendimmarrje dhe në inicimin e ligjeve duke përdorur metoda autokratike të veprimit dhe largmin nga procesi vendimarrës i të gjithë mekanizmave demokratik të shtetit unë konsideroj që kjo do të duhej të ishte një prej prioriteteve kryesore të Qeverisë së ardhshme që të rikthej funksionimin demokratik të institucioneve të Kosovës, që të largoj nga duart e një ose dy vendimmarrjen. Dështimi më i madh në histroinë e krejt Kosovës është marrja e masave nga BE dhe mbyllja e dyerëve nga institucionet e SHBA-ve për kryeministrin dhe ministrën e Punëve të Jashtme të Kosovës”, tha deputeti.
Analisti politik, Visar Xani, e sheh ndryshe deklarimin e deputetit. Analisti për Telegram News tha se është kritik ndaj deputetit lidhur me deklarimet e tij për emrat se kush përfaqëson kabinetin qeveritar.
“Sa i përket deklaratave të Haki Abazit në vazhdimësi, unë jam kritik në aspekt të qasjes së tij sepse merret shumë me emrat se kush është në kabinetin qeveritar dhe ai ka qenë pjesë e LVV-së në Qeverinë Kurti 1 dhe nuk shtjellon shumë politika se ku ka dështuar Qeverisja Kurti më shumë se sa që përmend emra se cili ministër sa e meriton dhe sa nuk e meriton. Në këto aspekte konsideroj që duhet të kemi vëmendje në politikat publike dhe në politikat publike nuk ka pasur progres të qëndrueshëm, mos të them dështim total sepse çdo angazhim ka një rezultat çoftë minimal por jo rezultate të knaqshme”, tha Xani. /D.Dërmaku/