Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, në një shkrim në Facebook, njofton se kryeministri Albin Kurti nuk është ftuar në Samitin e Komunitetit Politik Evropian në Londër, ndonëse në këtë samit është planifikuar takimi i kryeministrave.
Në vend të tij është ftuar presidentja Vjosa Osmani. Hoxhaj vlerëson se kjo tregon se Kurti po izolohet gjithnjë e më shumë në ngjarjet e mëdha ndërkombëtare.
“Javën e kaluar nuk u ftua as në përvjetorin e 75 të themelimit të NATO-s në ShBA, ku 25-vjetori i çlirimit është ndër sukseset më të mëdha të NATO-s në historinë e saj dhe siguria në një botë të pasigurtë është prioritet i çdo shteti, dhe Kosova nuk ka qenë asnjëherë më shumë e kërcënuar se tani!
Këtë javë nuk udhëton as për në Londër, meqë nuk është ftuar as në Britani të Madhe. Sot kuptova se, meqë Bashkimi Evropian e bën protokollin e ftesave për këtë Samit, janë evropianët ata që nuk e duan Kurtin në Samit”, shkroi Hoxhaj.
Tutje, deputeti i PDK’së, thotë se “duhet të jesh i marrë e të besosh se BE shqyrton aplikacionin e një vendi për të marr statusin e kandidatit në BE, apo që evropianët të mbështesin anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës, kur as nuk e ftojnë fare kryeministrin me një Samit joformal, por të rëndësishëm gjeopolitik, ku do jenë shumë kryeministra të BE dhe jashtë saj!”.
Po ashtu, Hoxhaj thotë se edhe Osmani nuk po i jep hapësirë askund Kurtit, duke e bërë atë të izoluar jo vetëm në botë, por edhe në Kosovë.
“Ftesa i ka ardhur zonjës Osmani dhe nga përvoja ime e gjatë në Qeveri, natyrisht ajo ka mundur ta delegojë ftesën te kryeministri. Delegimi i ftesa be bëhet shpesh në çdo shtet dhe e kemi bërë shpesh në Kosovë. Mirëpo, as ajo nuk po i jep hapësirë askund Kurtit, duke e bërë atë të izoluar jo vetëm në botë, por edhe në Kosovë!
Janë bërë më shumë se një muaj që kur përfaqësuesi i lartë i BE-së Josep Borell ia dorëzoi Këshillit Evropian raportin për heqjen e masave ndaj Kosovës, dhe ende nuk ka një vendim të vendeve anëtare për këtë çështje dhe as që dikush mendon që kjo duhet të ndodhë! E sanksinuar dhe e izoluar, sot Kosova është një demokraci pa opsione të zgjedhjes, një sovranitet i pa kuptim dhe një vend pa kurrfarë kredibiliteti ndërkombëtar”, tha Hoxhaj.