Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se zgjerimi i Bashkimit Evropian është përgjigjja më e mirë ndaj atyre që kërcënojnë paqen dhe unitetin e Evropës.
Ai në një postim në platformen “X”, ka shkruar se gjatë takimit të sotëm ka falënderuar presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen për mbështetjen e saj për Ballkanin Perëndimor.
“Kosova është e etur për t’u bashkuar në “garën për në krye” në një proces anëtarësimi të bazuar në merita. Me zgjerimin e kthyer në agjendën e BE-së, ne presim me padurim marrjen e statusit të kandidatit dhe pyetësorit, pasi angazhimi ynë ndaj reformave, zhvillimit dhe demokracisë vetëm sa bëhet më i fortë”, ka shkruar Kurti.
Ndërkaq në njofimin e zyrës së kryeministrit thuhet se Kurti i ka quajtur masat mbi Kosovën si “jo-fer”.
“Theksoi se zgjerimi i Bashkimit Evropian, sidomos pas agresionit ushtarak rus në Ukrainë, është përgjigjja më e mirë për të gjithë ata që kërcënojnë paqen dhe unitetin e Evropës. Në këtë kontekst, kryeministri Kurti bëri thirrje që të trajtohet aplikimi i Kosovës në Bashkimin Evropian dhe Kosovës t’i jepet pyetësori dhe statusi i vendit kandidat për anëtarësim. Në të njëjtën kohë, kërkoi që masat restriktive mbi Kosovën, të cilat i quajti të padrejta dhe jo fer, të hiqen”, thuhet në njoftim.
Sa i përket Planit të Rritjes, kryeministri u shpreh se Kosova ka qenë një ndër vendet e para që ka dorëzuar Agjendën e Reformave, duke treguar kështu përkushtimin e saj për Planin e Rritjes.
Ndryshe, presidentja e KE-së Ursula von der Leyen ka pritur sot në një drekë pune liderët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, në mesin e tyre edhe kryeministrin Kurti.