“Patriotë ambientalë, shoqëria civile por edhe politikanë të lidhur me mafian ballkanike të energjisë elektrike penguan me çdo kusht çdo projekt të mundur për prodhimin e energjisë elektrike bazuar në thëngjill që Kosova e posedon me bollëk”
Investimi prej nëntë miliardë eurosh i BE-së në shtetet e Ballkanit Perëndimorë, kryesisht për hartimin e politikave legjislative ka mobilizuar rajonin e Gadishullit Ballkanik, ta kap furishëm hapin e trendit ekonomik të Evropës.
Si kusht për rritje astronomike, kush i pari po arrin te shënjestra, shtetet me ekspertë të aftësive akademike, po përgatiten për profilizim të ri energjetik .
Në Rajon prin Serbia, që po përgatit ndërtimin e centralit të parë energjetik bërthamor, edhe pse Serbia si trashëgimtare e potencialeve energjetike nga ish Jugosllavia, sot është fuqi prodhuese jo vetëm në Ballkan, por edhe në Evropë.
Ekspertë vendorë e ndërkombëtar , kanë hulumtuar burimet minerare në tokën e Kosovës dhe Kosova , është e dyta në botë me rezerva të qymyrit koks dhe lignit me të cilat shteti i Kosovës do të printe në rajon për disponueshmëri energjetike në treg.
Kontraktimi i ish qeverisë së Kosovës me ContourGlobal amerikan, në vlerë prej rreth 1.5 miliardë dollarëve , që u shkëput nga kryeministri aktual Albin Kurti.
Feronikeli që solli pas lufte në Kosovë investitorët e kompanisë së njohur të vëllezërve Alievë nga vendet e ish Bashkimit Sovjetik, kishte për qëllim, eksploatimin e hekurit dhe nikelit, që do të shkonin deri te ndërtimi i një shkrijtoreje pa të cilën nuk mund të mendohet e ardhmja e asnjë shteti.
Pasiguria energjetike dhe krizat e shpeshta në veriun e vendit, detyruan Alijevët , të heqin dorë nga qëllimi.
Por krejt kjo e ka një adresë e cila në Kosovë është bërë pengesë për prodhim energjetik.
Lidhur me këtë eksperti për ekonomi dhe ish Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu i ka dhënë gazetës Telegrami.co informacione të dorës së parë rreth zhvillimeve aktuale energjetike në vend e rajon dhe lidhur me këtë thotë:
“Në Kosovë u pengua me çdo kusht ndërtimi i “Termocentralit të Ri”. Në Serbi po përgatiten për ndërtim të një centrali të ri bërthamor. “Patriotët ambientalë”, shoqëria civile por edhe politikanë të lidhur me Mafian ballkanike të energjisë , penguan me çdo kusht çdo projekt të mundur për prodhimin e energjisë elektrike bazuar në thëngjill që Kosova e posedon me bollëk”.
Fatkeqësisht shumë prej atyre militantëve ambientalë të paguar nga qarqet më anti kosovare, sot janë në politikë dhe flasin për ekonomi.
Në vend qē Kosova të prodhojë mjaftueshëm energji elektrike për nevojat vetanake por edhe të eksportojë, sot Kosova fatkeqësisht, është e varur nga importi dhe atë me çmime të larta.
Deri sa në Kosovë bëhet garë kush po e dëmton ekonominë dhe shtetin më shumë, vendet e rajonit por edhe ato evropiane orientohen drejt prodhimit të këtij aseti energjetik si shumë strategjik në forma të ndryshme.
Teknologjia ka avancuar me filtra modern për mbrojtjen e ajrit dhe sot e keni thëngjillin në funksion në Ballkanin Perëndimor dhe Evropë, por vetëm në Kosovë ka qenë “e papranueshme” të investohet ne energjetikë duke përdorur thëngjillin, thotë Gërxhaliu, i kontaktuar nga Telegrami.co.
Ecja e rajonit dhe stagnimi i Kosovës në energjetikë
Shtetet e Ballkanit Perëndimorë , po e ndjekin trendin teknologjik modern në energjetikë.
Sa më shumë që rajoni ofrohet me BE-në , ekspertë akademikë të energjetikës , po përgatiten për kapacitete të bollshme energjetike për përdorim teknologjik në harmoni me nevojat .
Safet Gërxhaliu nga këndi i ekspertit ekonomik, bazuar në ecjen e rajonit, Kosovën e sheh tërësisht jashtë loje si shtet konkurrent në rajon dhe lidhur me këtë thotë ekskluzivisht për Telegrami.co’:
“Franca po zgjeron kapacitetet prodhuese bazuar në centrale të reja bërthamore e ketë rrugë po e ndjek edhe Serbia.
Në prill, Qeveria e Serbisë nënshkroi një Memorandum Mirëkuptimi me Kompaninë Franceze të Energjisë Elektrike (EDF), e cila krijon kushtet për një partneritet strategjik në vlerësimin e potencialit për zhvillimin e energjisë bërthamore në Serbi duke planifikuar të ndërtojë një central të ri bërthamor.
Ministria e Minierave dhe Energjetikës së këtij vendi, ka shpallur tender për përgatitjen e një studimi teknik paraprak për të shqyrtuar aplikimin e energjisë bërthamore .
Në kushtet e rritjes së nevojave për energji të parashikuara në dekadat e ardhme të mbështetura nga elektrifikimi i përshpejtuar i ekonomisë, me një rritje të pjesës së burimeve rinovuese të energjisë në rrjet dhe një reduktim të prodhimit të qymyrit, Serbia duhet ta konsiderojë energjinë bërthamore si të barabartë , opsion që mund të kontribuojë në një furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike me karbon të ulët, përveç hidrocentraleve dhe gazit, që konsiderohen lëndë djegëse kalimtare .
A thua , sikur të dilej me një propozim të tillë në Parlamentin e Kosovës , apo në Qeverinë e Republikës së Kosovës si do të reagonin “patriotët ambientalë”, një pjesë e shoqërisë civile dhe ata biznesmenë e politikanë që paguhen për të dëmtuar ekonominë e vendit në çdo aspekt e në veçanti për të rritur varësinë nga importi”, pyet eksperti Gërxhaliu i cili pengimin e zhvillimit energjetik e identifikon me Mafian e Ballkanit dhe shton:
“Nuk duhet të habitemi pse në vitin 2023 kemi importe mbi 5.8 miliardë euro e eksporte vetëm 820 milion euro.
Shfrytëzimin i resurseve natyrore dhe faktorin njeri që e shfrytëzon një shtet, ndërton ardhmëri dhe zhvillim përndryshe dështimin si shtet e ka të garantuar. Këtë nuk e them vetëm unë por edhe ekspertë ekonomikë me renome si Dr.Ali Jakupi, Dr.Nazmi Mustafa e në veçanti Dr.Ismet Gusia në Doktoraturën e tij./Telegrami.co