Në një konferencë për shtyp para ndeshjes së nesërme ndaj Norvegjisë ka folur mesfushori i Kosovës, Valon Berisha.
Berisha ka një histori të veçantë, pasi para se të vinte te Kosova, përfaqësonte Norvegjinë në nivelin ndërkombëtar.
Pikërisht, për këtë pjesë foli edhe vetë lojtari, duke u shprehur krenar që ka zgjedhur Kosovën, para vazhdimit me Norvegjinë.
“Jam rritur në këtë shtet, dhe si i huaj në Norvegji ka qenë privilegj që kam pasur rastin të luaj me kombëtaren. Por, unë jam krenar që kam vendosur të luaj e ta përfaqësoj Kosovën, vendin tim, gjakun tim dhe për Kosovën gjithmonë do të lë shpirtin në fushë”, tha ai fillimisht.
Tutje, mesfushori foli edhe për ndeshjen e nesërme miqësore, që zhvillohet në Oslo.
“Jemi të vetdijshëm që kanë shumë lojtarë të mirë, por ne jemi të përqendruar në lojën tonë. Kemi dëshirë të tregojmë çka kemi ushtruar deri më tani dhe çka do të tregojmë në fushë në të ardhmen”, shtoi ai.
Kosova, nesër më 5 qershor, do të luajë ndaj Norvegjisë, në stadiumin “Ullevaal Stadion” në Oslo, me takimin që nis nga ora 19:00.