Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka reaguar pas bojkotimit të seancës nga Lëvizja Vetëvendosje dhe mostransmetimi i seancës nga Radio Televizioni Publik i Kosovës (RTK).
Përmes një postimi në Facebook, Krasniqi tha se komisarët e Kryeministrit Kurti po tentojnë ta heshtin opozitën dhe ta fshehin të vërtetën.
“Është jetike që kjo Qeveri e kapelave të zeza të bie!
I zënë pamohueshëm në flagrancë duke vepruar kundër interesit të shtetit dhe qytetarëve, pushteti ka zgjedhur ikjen, fshehjen dhe me këtë rast, edhe turpin. Ata nuk u paraqitën as sot në Kuvend, të paktën që të marrin kapelat e zeza që ua bëmë dhuratë”, tha ai.
Më tej, kreu i PDK-së tha se prokuroria duhet të bëjë punen e saj dhe qytetarët të votojnë për largimin e kësaj Qeverie më 9 shkurt.
“Tash kanë mbetur vetëm dy gjëra para se kjo Qeveri të bie për t’u mos u kthyer më: prokuroria të bëjë punën e saj dhe qytetarët të votojnë për largimin e saj më 9 shkurt të vitit 2025. Rikthimi i Kosovës në drejtimin e duhur, të zhvilimit dhe të integrimit euro-atlantik, e ka vetëm një adresë: Bedri Hamza dhe Partia Demokratike e Kosovës!”, theksoi Krasniqi. /TelegramNews/