Kandidati për kryeministër nga Lidhja Demokratike e Kosovës Lumir Abdixhiku, ka përsëritur zotimin për gazin amerikan, vlerë kjo 120 milionë euro, nga e cila do të përfitojnë edhe qytetarët e Lipjanit.
Sipas tij, Lipjani do të shndërrohet në udhëkryq energjetik nga gazi amerikan. Abdixhiku tha se LDK veçse ka filluar komunikimin me administratën amerikane.
“Më lejoni të zotohem, para jush, se me linjën e re të gazit amerikan, nga Shkupi nëpër Ferizaj e Lipjan, deri në Pirshtinë e Mitrovicë, qyteti i juaj do të shndërrohet në udhëkryq energjetik. Nga ky udhëkryq e kjo linjë, ju do të mund të siguroni dhe ngrohjen qendrore. Plot 120 milion euro të investuara në linjën e gazit amerikan; për të cilën linjë veçse kemi filluar komunikimin me administratën e re’’, tha Abdixhiku gjatë tubimit në Lipjan.