Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar viktimat e ngjarjeve tragjike të natës mes 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000 në veri të Mitrovicës, kur 10 qytetarë shqiptarë u vranë dhe mijëra të tjerë u dëbuan nga shtëpitë e tyre.
Në një shkrim të dedikuar për këtë përvjetor të 25-të, Kurti theksoi se Kosova ka dërguar një letër zyrtare tek përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas, duke kërkuar një hetim të plotë dhe gjithëpërfshirës për të identifikuar dhe ndjekur penalisht përgjegjësit e këtyre krimeve.
“Në atë sulm të koordinuar nga grupe të armatosura të Serbisë, u vranë 10 qytetarë shqiptarë, përfshirë fëmijë, gra dhe të moshuar, dhe u plagosën 25 të tjerë. U dëbuan me dhunë nga shtëpitë e tyre 1.664 familje shqiptare, rreth 12.000 qytetarë të Mitrovicës,” shkroi Kurti.
Kryeministri vuri në dukje se, pas një çerek shekulli, disa prej të dëbuarve po kthehen në shtëpitë e tyre.
Megjithatë, theksoi se shumë ende nuk janë kthyer, ndërsa autorët e këtyre krimeve të rënda nuk janë përballur ende me drejtësinë.
“Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar të sigurojë që të gjithë ata që dëshirojnë, të kthehen në mënyrë të sigurt dhe në shtëpitë e tyre të rindërtuara,” tha Kurti.
Ai shtoi se drejtësia për viktimat dhe familjet e tyre është një detyrim moral dhe një hap i domosdoshëm drejt paqes së qëndrueshme në Kosovë dhe rajonin më të gjerë.
Në letrën e dërguar Kallas, Kurti kërkoi që Bashkimi Evropian të mbështesë një hetim të plotë për të identifikuar dhe ndjekur penalisht përgjegjësit e këtyre krimeve.
“Drejtësia për viktimat dhe familjet e tyre është detyrim moral dhe hap i domosdoshëm drejt paqes së qëndrueshme në Republikën e Kosovës dhe rajonin tonë,” përfundoi Kurti.