Lëvizja Vetëvendosje është dënuar me 53 mijë euro vetëm nga 6 vendimet e fundit të marra nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa. Një prej arsyeve ishin edhe ngritja e tre gishtave nga mbështetës të kësaj partie, në tubimin që partia e Albin Kurtit e mbajti në Skënderaj më 27 janar.
Kandidatja e PDK-së për deputete të Kuvendit, Blerta Deliu, tha se ngritja e tre gishtrinjëve “nuk do të duhej të ndodhte në asnjë zonë të Kosovës, aq më pak në Drenicë që ka dhënë shumë për Kosovën”.
Këtë koment ajo e bëri sontë në Pressing në T7.
“Është përbuzje e thellë ndaj qytetarëve të Drenicës. Simbolin e paramilitarëve serbë para qytetarëve atje të demonstruar nga aktivistë të LVV-së e shpërfaq më së miri urrejtjen, brutalitetin dhe formën sesi një subjekt politik ka degreduar deri në atë nivel sa të përçojë mesazhe të paramilitarëve në një vend që historikisht ka dhënë shumë për Kosovën”, tha Deliu në Pressing.
“Është e papranueshme kjo sjelle brutale”, tha Deliu.
“Nuk kam menduar se mund të shoh në vitin 2025 nga shqiptarë që mund të ngrisin tre gishta të paramilitarëve serbë”, tha Deliu.
“Kur militantët e tij shkojnë deri në atë nivel kjo flet për një degradim të një partie politike që shpërfaq gjithë mllefin dhe urrejtjen”, shtoi ajo.