Ish-ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj ka publikuar vendimin e pasardhësit të tij Arben Vitia, i cili anuloi listën e çmimit të barnave vetëm disa ditë pasi e miratoi atë.
Në vendim thuhet se lista ka qenë e përkohshme dhe është anuluar për shkak të ankesave në Komisionin e Ankesave brenda Ministrisë së Shëndetësisë.
Por këtë vendim ndryshe po e sheh Zemaj i cili ka akuzuar se anulimi është bërë për interesa personale financiare.
“Para tre jave është miratuar lista e çmimeve të produkteve medicinale. Sot, u anulua! Çfarë dobësie! Çfarë loje e ndytë! Interesin e pacientit të varfër, kjo Qeveri e ka shkelur me dy këmbë, në vazhdimësi po abuzon me të. E kjo veç për shkak të akomodimit të interesave personale financiare dhe interesave të mafisë farmaceutike. Kur ju doli në shesh përfitimi personal, e anulojnë. Kaq dinë kaq mund të bëjnë ky pushtet! Ja disa shembuj që shpërfaqin tendencën për abuzim me çmime”, ka shkruar Zemaj.