Komuna e Prishtinës ka paralajmëruar qytetarët se në orët në vijim priten erëra të forta të shoqëruara me reshje shiu, ndërsa në orët e vona të natës do të ketë edhe reshje bore, dhe u ka bërë thirrje për kujdes.
Përmes një njoftimi në faqen zyrtare, Komuna u ka bërë thirrje që të sigurojnë objektet e lëvizshme në ballkone ose oborre për të shmangur dëmet nga era, të reduktojnë lëvizjet e panevojshme në kushte të motit të rënduar dhe të kujdesen për sigurinë në trafik dhe të shmangin parkimin pranë pemëve ose objekteve të rrezikshme.
“Ekipet tona të emergjencave janë në gatishmëri të plotë për çdo situatë të mundshme. Për ndihmë apo raportime, mund të kontaktoni Drejtorinë për Siguri dhe Emergjenca në numrin 0800 122 33 ose 122 44. Së bashku, të kujdesshëm, e kalojmë çdo sfidë”, thuhet në njoftim.