Tri ditë para përmbylljes së afatit për koalicione parazgjedhore, partitë Guxo dhe Alternativa po kërkojnë koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje (LVV).
Megjithatë, LVV ende nuk ka dhënë përgjigje në lidhje me këtë kërkesë, pavarësisht takimeve të kryetarit të LVV-së, Albin Kurti, me përfaqësuesit e Guxo dhe Alternativës.
Mimoza Kusari-Lila, kryetarja e Alternativës, ka shprehur dëshirën për një koalicion parazgjedhor dhe ka deklaruar se ende nuk kanë marrë një përgjigje të qartë nga LVV.
Nga ana tjetër, Haxhi Avdyli i Guxo-së ka thënë se do të vendosin në lidhje me koalicionin në takimet e ardhshme.
Analisti politik Albinot Maloku ka theksuar se një koalicion parazgjedhor do të tregonë respekt për barazinë mes partive, ndërsa një përfshirje vetëm në listën zgjedhore mund të dëmtojë peshën dhe seriozitetin e Guxo dhe Alternativës.
Partitë kanë afat deri të premten për të paraqitur koalicionet e tyre në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për zgjedhjet e 9 shkurtit 2025. Në zgjedhjet e vitit 2021, Guxo dhe Alternativa garuan në listën e LVV-së.