Qeveria e Kosovës gjatë ditës së djeshme ka konfirmuar takimin e kryeministrit të vendit, Albin Kurti me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq i cili pritet të mbahet në Bruksel më 26 qershor, me ftesë të Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell.
Sipas Qeverisë, thuhet se në fokus do të jetë diskutimi për zbatimin e marrëveshjes bazike dhe hapat për të ecur përpara.
E analisti politik, Visar Xani në një prononcim për Telegramin thotë se nuk pret shumë nga ky takim, pasi sipas tij, ky po duket një takim “sa për sy e faqe” për shkak se siç tha Xani, po mungojnë rezultatet e këtyre bisedimeve.
“Ky takim duket një takim përmbyllës i një cikli të dialogut për shkak që vet procesi zgjedhor që ka ndodhur dhe do të ndodhë në Bashkimin Evropian, në Kosovë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me gjasë do të ketë një strategji të re dhe një sezonë tjetër të dialogut. Pas zgjedhjeve dhe figurave të përcaktuara qartë, qoftë nga Bashkimi Evropian që do të merren me procesin e dialogut, apo përcaktimit qeverisës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ose edhe në Kosovë. Prandaj nuk po pres shumë nga ky takim, duket se një takim i tillë është sa për sy e faqe, sa për të treguar palët se ende janë në gatishmëri për t’u ulur në tryezën e bisedimeve. Por për t’u ulur në bisedime dhe mos pasur rezultat nuk më duket një takim i arsyeshëm, por gjithsesi konsiderojë se më mirë të ketë një takim sesa asgjë dhe vetëm tensione”, tha analisti politik për Telegramin.
Derisa i pyetur se a do të varet largimi i masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës nga takimi Kurti – Vuçiq, Xani tha se largimi i masave do të mund të ndodhte vetëm nëse takimi i 26 qershorit do të përmbyllej me ndonjë rezultat.
Teksa shtoi se procesi i masave ndaj Kosovës sipas tij, në këtë periudhë që po hyjmë, pra në proceset zgjedhore është i pa drejtë dhe i dëmshëm.
“Një takim pa rezultate nuk mund të ketë efekt për largimin e masave ndaj Kosovës, por vetëm nëse do të ketë rezultat e që shumë pak pres që do të ketë ndonjë rezultat. Edhe pse procesi i masave ndaj Kosovës në këtë periudhë që po hyjmë pra në proceset zgjedhore konsideroj që është i pa drejtë, i dëmshëm për shkak që rizgjedhja dhe pastaj bashkëpunimi me një qeveri qoftë me këtë, pra me rizgjedhje tjetër merr kohë. Nga ky aspekt vështirë për të parë lëvizje diplomatike, sepse adresat që i bëjnë zhvillimet e negociimeve dhe mbikëqyrjen e këtij procesi pra janë në një proces zgjedhor”, shtoi Xani.
Ndryshe, edhe nga opozita i është bërë thirrje Qeverisë që “të mos bëjë gabime” të tjera në këtë proces./D.Dermaku/Telegrami