Gjatë ditës së hënë Qeveria e Kosovës në koordinim me Policinë e vendit, mbyllen nëntë filiale të postës serbe në veri të vendit.
Ndaj këtyre veprimeve reaguan Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, të cilat veprimet e Qeverisë i cilësuan si të njëanshme dhe të pakoordinuara.
Madje aksioni i tillë nga kreu i partisë së serbëve në Kosovë, Aleksandar Jabllanoviq i cilësoi si tentativë të radhës drejtë hapjes së urës mbi lumin Ibër.
Teksa sot qytetarë serbë organizuan edhe një protestë për siç thane “gjendjen e rëndë të serbëve në Kosovë”.
E analisti politik, Visar Xani në një prononcim për TelegramNews ka deklaruar se SHBA-jtë dhe BE-ja e kanë strategjinë e tyre që çdo veprim që ka të bëjë me veriun e vendit të merret në Bruksel, e jo siç tha ai, sipas ligjeve ose veprimeve që Kosova i ka me të drejtë për të vepruar.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian me gjasë e kanë të qartë strategjinë e tyre se çdo gjë që ka të bëjë me veriun e Kosovës, qofshin edhe veprime ligjore dhe kushtetuese duhet të adresohen në Bruksel. Dhe duhet të dakordohen atje me qëllim që të marrin pra një zgjidhje politike dhe jo sipas ligjeve ose sipas veprimeve që Kosova i ka me të drejtë për të vepruar”, tha Xani për TelegramNews.
Sipas Xanit, Kosova do të duhet që fillimisht t’a bindë faktorin ndërkombëtarë që veprimet në veri janë kushtetuese dhe nuk paraqesin ndonjë kërcënim, pasi sipas Xanit, në të kundërtën do të ishin të dëmshme për vendin.
“Gjithsesi unë e konsideroj që ne si Kosovë nëse nuk arrijmë t’i bindim që veprimet tona janë kushtetuese dhe nuk paraqesin kërcënim, atëherë me gjasë nuk do të kenë sukses dhe konsideroj që më e dëshmshe është në asi raste të ndërrmeren veprime qofshin edhe për shtrirje ligjore sesa të lihen në këtë mënyrë. Prandaj neve na mbetet shumë që t’i bindim Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe faktorin ndërkombëtarë në përgjithësi që Kosova e ka për qëllim shtrirjen e ligjshmërisë dhe nuk ka për qëllim të provokojë ndonjë konflikt të mundshëm në veriun e Kosovës. Prandaj veprimet të cilat i shohim ne dhe reagimet që po bëhen të faktorit ndërkombëtarë karshi këtyre veprimeve nuk i shkojnë për shtati Kosovës dhe vështirë për të besuar që nuk mund të provojnë qëllimisht ndonjë eskalim, për shkak që Beogradi do të vazhdojë ti përdorë këto si mjete politike për destabilizim”, tha analisti politik.
Ndryshe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq reagoi gjatë ditës së djehsme duke pretenduar se në protestën e sotme do të merrnin pjesë edhe qytetarë shqiptarë .
Këtë deklaratë e kundërshtoi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i cili tha se asnjë shqiptar nuk nuk do të marshojë mbi urë.
“Me akuza të rreme se shqiptarët po marshojnë mbi urë, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, synon të krijojë një atmosferë frike dhe të nxjerrë një reagim nga KFOR-i në Mitrovicë, duke kërcënuar se nëse ata nuk përgjigjen, Serbia do të përgjigjet”.
“Asnjë shqiptar nuk po marshon mbi urë, siç ai pretendon në mënyrë të rreme. Të gjitha planet për hapjen e urës kanë pasur për qëllim të nxisin ndërveprimin paqësor midis dy komuniteteve. Megjithatë, këto akuza të rreme shpesh janë një parathënie për një sulm të planifikuar nga Serbia. Për sigurinë e të gjithëve, ata nuk duhet dhe nuk do të lejohen të hyjnë në territorin tonë”, tha Kurti.