“Përkundër bllokimit dhe mosbashkëpunimit të Lëvizjes Vetëvendosje, konsiderojmë se ky komision hetimor do të shpërfaq aketëret e involvuar në aferat korruptive energjetike”, tha Ferat Shala.
Një kohë të gjatë ka mbetur pa epilog përfundimtar problemi i implikimit të disa zyrtarëve të VV-së në aferat e dyshuara korruptive të energjisë elektrike, derisa faktet janë bërë publike dhe problemi ka kaluar në prokurorinë e shtetit.
Partitë opozitare kanë kërkuar themelimin e një komisioni hetimor parlamentar për të adresuar të gjeturat e keqpërdorimeve të dyshuara nga opozita e cila ka raportuar, për implikime korruptive të zyrtarëve të VV-së në afera që tani kanë kaluar në dorën e hetuesisë institucionale.
Lidhur me këtë aferë që u bë publike çysh me rastin e Martin Berishajt e të drejtorit të KEK-ut, Nagip Krasniqi ka folur eksperti për ekonomi dhe aktualisht njeriu numër një për çështje ekonomike në parlamentin e Kosovës, deputeti Ferat Shala.
Ai i ka pohuar gazetës Telegrami.co se mazhoranca parlamentare i ka bllokuar sirtarët e statistikave korruptive dhe për më keq, kanë bllokuar edhe themelimin e komisioneve hetimore të parlamentit, madje edhe duke u ikur nga komisionet në mënyrë që keqpërdorimet e Qeverisë Kurti të mos bëhen publike.
“Po jap një mendim rreth çështjes së komisioneve parlamentare si e drejta më demokratike e secilit grup parlamentar në Kuvendin e Kosovës, me theks të veçantë një e drejtë demokratike e partive opozitare si mekanizëm pothuajse i vetëm ligjor për kërkim llogaridhënieje për probleme dhe çështje të caktuara”, thotë deputeti Ferat Shala, i cili shton:
“Si rast më të veçantë të kësaj faze të legjislacionit që po e përfundojmë tash është çështja e komisionit hetimor parlamentar për energji dhe çështja e komisionit hetimor për rezervën shtetërore.
Tek çështja e komisionit hetimor parlamentar për energjinë, e kemi mbyllur sepse i kemi shpërfaqur të gjeturat të cilat janë të pasqyruara në raport, por që raporti nuk është miratuar në Kuvend për shkak që shumica parlamentare, pra shumica e Vetëvendosjes nuk ka pranuar ta miratojë e në mënyrë të veçantë nuk është përmbyllur i tërë procesi.
Përkundër bllokimit dhe mosbashkëpunimit të VV-së, konsiderojmë se ky komision hetimor të shpërfaq aketëret e involvuar në aferat korruptive energjetike. Nga kreu më i lartë i Qeverisë, gjegjësisht nga ambasadori Berisha e deri tek drejtori i KEK-ut. Në këtë rast konsiderojmë që janë vërtetuar punët operative energjetike me kompanitë e jashtme me bazë në Serbi e që kanë operuar në Kosovë, shpeshherë në mënyrë të paligjshme dhe jashtë rregullores legjislative të Kosovës. Në këtë rast është verifikuar edhe pasinqeriteti i deklarimit të disa të intervistuarve të cilët nuk e kanë thënë të vërtetën në Komisionin hetimorë parlamentarë dhe më vonë në proces e sipër në këtë rast, konkretisht Martin Berisha dhe rasti i drejtorit të KEK-ut, po me theks të veçant i ambasadorit Berisha, i cili më vonë mediat dhe shoqëria civile kanë vërtetuar se çështja e pasinqeritetit në komisionin parlamentarë. Tani këto probleme po trajtohen nga drejtësia dhe ne jemi duke pritur që drejtësiq ta thotë të vërtetën e plotë në të cilën kemi besim edhe ne. Besimi ynë është se do ta mbyllim këtë çështje me përgjegjësi dhe ne kohë të duhur por e them me përgjegjësi të madhe që njëra nga aferat është në pjesën më kulmore të shtetit dhe shumë më afër kryeministrit Kurti”, ka thënë deputeti Shala.
Safet Gërxhaliu: ”Bllokimi mazhorancës, involvim i tyre në grupe të interesit”
Ndërkaq ish-kreytari i Odës Ekonomike të Kosovës dhe eksperti për ekonomi, Safet Gërxhaliu, lidhur me refuzimin e formimit të komisioneve hetimore parlamentare nga mazhoranca tha:
“Në rend të parë duhet të kuptohet një e vërtetë e hidhur që po dëshmohet në Kosovë, aty ku flitet për transparencë ka shumë pak transparencë, aty ku flitet për trimëri, patriotizëm, ka pak trimëri e më pak patriotizëm. Në këtë drejtim para një kohe e lexova një fjali ku thoshte “dëgjoje njeriun se çka i mungon, apo kuptoje njeriun se çka i mungon kur flet”.
Derisa viteve të fundit jemi dëshmitarë që nga Qeveria e Kosovës jemi duke dëgjuar për transparencë e për sundim të rendit e të ligjit dhe zero korrupsion e zero tolerancë do të thotë nepotizëm.
Po e shohim çdo ditë e më tepër që po dëshmohet e vërteta e hidhur dhe ato e kanë kapluar shtetin.
Ky bllokim i mazhorancës në krijimin e komisioneve hetimore e dëshmon më së miri involvimin e grupeve të caktuara në të gjitha këto procese që nuk janë bërë paditë pa njohurinë e krerëve politikë dhe e dyta bllokohet me çdo kusht, sepse pritet të ketë zgjedhje çoftë në këtë fund vit, apo vitin tjetër dhe çdo aferë e hapur dhe e zyrtarizuar do të ndikojë edhe në elektorat apo në vota në të ardhmen. Kuptohet që Kosova ka shumë politikanë por nuk ka burrështetas që zgjidhë problemin rreth shtetit dhe të popullit. Sot duhet ta kuptoj qytetari që këtu po luftohet për pushtet dhe shumë pak për interesat e shtetit”.
/Telegrami.co/