Në seancën plenare ku Kryeministri Kurti ka prezantuar projekt-buxhetin prej 3.6 miliardë eurove për vitin 2025, ai e ka quajtur buxhet historik të Qeverisë së tij e cila për herë të parë i vije në fund mandatit.
Ai tha se ky buxhet është për familjen, derisa përmendi mbështetjen për gratë, fëmijët, studentët dhe rritjen e pagave në sektorin publik. Sipas tij, një gjë e tillë nuk ka ndodhur në asnjë qeveri para tyre.
Partia Demokratike e Kosovës ka adresuar një mori kritikash ndaj planifikimit qeveritar për buxhetin e vitit 2025. Sipas partisë më të madhe opozitare, ky buxhet është i mbijetesës dhe nuk është zhvillimor.
Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, në seancën e Kuvendit të Kosovës ku po diskutohet për projektligjin për buxhetin për vitin 2025, tha se ky buxhet nuk i sjell asnjë investim kapital qytetarëve.
PDK e quan buxhet social projekt-buxhetin e vitit 2025
“Juve që po iu kalojnë katër vite që jeni në pushtet, deri më sot keni planifikuar 13 miliardë euro shpenzime, as edhe një projekt madhor dhe të rëndësishëm nuk mbahet mend për këtë kohë sa qeverisni. Sot ne flasim për një planifikim buxhetor që nuk ndikon asgjë, s ‘promovon asgjë dhe një planifikim që ky shtet dhe ky popull nuk sheh asnjë hajr. E kemi parë që nga fillimi i kësaj qeverie çdo planifikim shihet se është i dobët. Në realizueshmëri të çdo projekti s’ka sjell asnjë investim kapital që qytetarët të mbajnë mend”, ka pohuar Lushtaku.
Përndryshe, në PDK kanë thënë se nuk do ta votojë këtë buxhet.
Ditë më parë deputeti Ferat Shala ka paraqitur pikëpamjet e tij dhe të PDK-së duke thënë se buxheti për vitin 2025 nuk do të votohet nga kjo parti, pasi është një buxhet që nuk i sjell vendit asnjë zhvillim as përparim dhe si buxhet social nuk do ta ketë përkrahjen e PDK-së.
Avdullah Hoti i LDK-së: Me propagandë të poshtër dhe pafytyrësi këta dalin e thonë qe 20 vjet Kosova është shkatërruar
I ashpër në reagimin e tij në Kuvend ka qenë ish-Kryeministri Avdullah Hoti i cili u është drejtuar referueseve të Qeverisë për buxhetin e vitit 2025 me fjalët:
“Ky me fanatizëm i mbron pozicionet e veta dhe vazhdon me atë propangandën e poshtër, të ultë, po me sa ftyrë del në foltore e iu thu njerëzve që Kosova është shkatërru që 20 vjet, me 13 mijë njerëz të vrarë, e njerëz pa gjymtyrë, me shtëpi, shkolla e rrugë të shkatërruara, ti thu Kosova është shkatërru për 20 vite. Kur i shtron këto në foltore të kuvendit, nuk ka vend për debat aty mandej sepse humb argumenti politik ose ekonomik”, tha Hoti.
LDK, ka përsëritur se nuk do ta votojë buxhetin e propozuar nga Qeveria Kurti për vitin 2025.
AAK, kundërshton ndarjen e buxhetit për vitin 2025
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së Besnik Tahiri e ka pyetur Kurtin :“A keni ndonjë projekt që keni realizuar për katër vjet pos urës së Staradranit?
“Kurti në fjalën hyrëse u lavdërua se si ky është buxheti i tij i katërt, por në vlerësimin e qytetarëve ky është buxheti më i dështuar i mandatit të tij të parë. A u kënaqët a? Të fundit e keni, më vjen keq. Me u lavdu si kryeministër për mandatin 4-vjeçar të një buxheti e krejt Kosova me e ditë që është buxheti e qeveria më e dështume është paradoksi më i madh, dhe paradoks tash duhet me argumentu”, tha Tahiri.
“A ka ndonjë projekt që u nis e u përfundu përveç urës në Saradran? Veç një projekt të thotë e kam nis një rrugë dhe e kam përfundu në këto 4 vjet. Magjistralja për Gjilan, për Gjakovë, për Pejë, për Mitrovicë, ende po punohet. Asnjë projekt nuk është përfundu”, tha Tahiri. /Telegram News