Gjatë ditës së sotme, kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka propozuar që në zgjedhjet e ardhshme të bashkëpunojë me partitë opozitare, PDK dhe LDK, për të pasur siç tha ai një qeveri me rotacion.
Haradinaj shpjegoi se propozimi i tij ishte që të tre opozitarët të merren vesh, që secili të udhëheq nga një vit, pasi Albin Kurti s’duhet të jetë më Kryeministër i Kosovës.
Për këtë ka reaguar deputeti nga radhët e PDK-së, Mërgim Lushtaku.
Ai ka thënë se ka përfunduar koha kur partitë e vogla e shihnin karrigën e Kryeministrit si dhuratë.
Sipas tij Kosova s’ka nevojë për eksperimente politike dhe premtime boshe, pasi “është koha për udhëheqje që sjell stabilitet”, dhe se një ndryshim është i mundur me Bedri Hamzën, kandidatin për kryeministër nga PDK-ja.
“Koha kur partitë e vogla e shihnin karrigen e Kryeministrit si dhuratë me rrotacion ka përfunduar. Kosova nuk ka nevojë për eksperimente politike dhe premtime boshe. Është koha për një udhëheqje që sjell stabilitet dhe zhvillim të vërtetë ekonomik, për arsim cilësor dhe sistem shëndetësor që vendos qytetarin në qendër. Me Bedri Hamzën, ndryshimi i vërtetë është i mundur. Ai nuk premton kot, por punon për një Kosovë të drejtë dhe të fortë. Kosova meriton ma mirë”, ka shkruar Lushtaku në Facebook.