Sot është duke u mbajtur një protestë nga punëtorët e Prishtina Parking para zyrave të kësaj ndërmarrje.
Nga kontrollerë, punëtorët e Ndërmarrjes Publike Lokale, Prishtina Parking kanë kaluar edhe në bllokim, me kërcënime në vazhdimësi se nëse nuk nënshkruajnë aneks kontratën, të njëjtit do të largohen nga puna.
Krejt çka këta punëtorë të Prishtina Parkingut po kërkojnë është rritja e pagës për 100 euro më shumë dhe shujtat të paguhen nga 5 euro.
Nënkryetari i Shoqatës Sindikale e punëtorëve të N.P.L Prishtina Parking, Valon Sojeva, gjatë protestës të realizuar sot para zyrave të kësaj ndërmarrje, ka thënë se Prishtina Parking ka pasur një nënkontraktorë, kompani private për bllokimin, e cila ka pasur kontratën 350 mijë euro dhe sipas tij është ndërprerë.
Prej kur është ndërprerë kontrata me këtë kompani private, Sojeva ka shtuar se përgjegjësia e tyre ka kaluar tek punëtorët e Prishtina Parking-ut.
“Prishtina Parking ka pasur një nënkontraktorë, një kompani private për bllokimin. Puna jonë është kontrollim, nëse ka qenë parkingu pa paguar ka qenë 5 minuta, tash është bërë 10 dhe nëse nuk është paguar ajo veturë është gjobitur… Ajo kompani e kontraktuar ka qenë vetëm për vendosjen bllokade. Ajo kompani e ka pasur kontratën 350 mijë euro dhe është ndërprerë. Përgjegjësia e tyre ka kaluar në duart tona në një formë që mendoj nuk ka qenë e drejtë me një aneks kontratë, me disa kërcënime që nëse nuk e nënshkruani përjashtoheni nga puna, dhe tash në kontrollorer kemi kaluar nënkontroller dhe bllokim”, ka thënë Sojeva.
Sojeva, ka shtuar se kompania ka marrë masa për lehtësimin e pagesave në arka, por sipas tij tashmë ata po e luajnë rolin edhe të arkëtarit.
Ani pse kompania ka sjell vetura me katër ulëse, që është kërkuar nga punëtorët e saj, të njëjtin nuk e kanë asistencën e Policisë së Kosovës dhe po vazhdojnë edhe rolin e policëve, që sipas Sojevës është një rrezik shumë i madh në terren.
“Kompania ka marrë masa për lehtësimin e pagesave dhe na ka pruar arkat, për ne është më mirë, po tash po e luajmë rolin edhe të arkëtarit.. Kemi kërkuar kerre me 4 ulëse, për shkak me pas asistencën e policisë, për shkak problemeve që i kemi, kompania i ka blerë çuditërisht, kemi qenë të shokuar dhe policia nuk mundet me na asistu. Pjesën më të madhe 90 për qind e luajmë edhe rolin e policisë vet, që është shumë e rrezikshme në terren”, është shprehur ai.
Gjithashtu, orari i punës është rritur prej 6 orëve në 8 orë punë.
Sojeva, ka theksuar se 8 orë në terren, pa ujë, bukë, me këtë rrogë nuk po munden t’ia dalin.
“Krejt këto na u kanë vë dhe rritje page kemi zero, as shujta, është rritur orari nga 6 orë nuk e di nëse është e ligjshme në 8 orë. 8 orë në terren, pa ujë, pa bukë, me këtë rrogë nuk mundemi me ia dalë… Protesta jonë e sotshme, është organizuar për rritje page dhe shujtën prej 5 euro…Është 100 euro, sepse punën e bllokerit po e bëjmë dhe kishte qenë dashtë 250 euro”, ka shtuar ai.
Nëse kërkesat e tyre nuk do të plotësohen, atëherë Shoqata Sindikale e punëtorëve të N.P.L Prishtina Parking, do të vazhdoj të protestojë në vazhdimësi. /KP