Strategjia për shmangie të tenderimit për sigurimin e teksteve shkollore nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), ka ndërprerë praktikën e ish ministrive për sigurimin e teksteve shkollore për nxënësit e sistemit të shkollës fillore, proces që ka zgjuar reagime të prindërve dhe ekspertëve arsimorë në Kosovë.
Këshilli i Prindërve të Kosovës vlerëson se mënyra e sigurimit të librave nga Ministria e Arsimit dhe shpërndarja e tyre nëpër shkolla është më e suksesshme se sa metoda e subvencionimit të blerjes së librave përmes prindërve.
Në emisionin Kallxo.com e ëma e një nxënëseje Lendita Murtezaj në fillim të vitit të ri shkollor për vajzën në klasën e dytë të shkollës fillore “Nazim Gafurri” në Prishtinë, thoshte, para se të aplikonte në platformën e-Kosova për subvencionimin e blerjes së librave, e ka vlerësuar më shumë metodën e furnizimit me libra të nxënësve në shkolla.
Pas aplikimit për subvencionim të blerjes së librave në platformën e-Kosova, Murtezaj ka konfirmuar se aplikimi ishte më i lehtë krahasuar me vitin e kaluar dhe se e ka marrë njoftimin se aplikimi është kryer me sukses.
“Për neve si prind dhe ma e lehtë kishte me qenë sigurimi i librave siç kanë qenë vitet tjera dhe jo me na bë këto maltretime… Kam pas vështirësi, për vajzën tjetër librat e klasës së parë gjenden te një librari mund t’i blesh të gjitha në një vend, ama për këto tjera besom që s’disa libra kam vrapu tek ajo librari, tek ajo librari edhe s’kam gjetë tekste shkollore” – ka shtuar Murtezaj.
Në vitin 2024/2025 MASHTI ka subvencionuar për klasët 1-5, 80 euro çmim për librat. Prindërit kanë vlerësuar se ky çmim ka qenë i njëjtë edhe për vitin e kaluar dhe është i pa mjaftueshëm.
Nga klasa 6-9, çmimi për librat gjithashtu është i njëjtë me vitin paraprak, pra 110 euro, që gjithashtu del të jetë çmim i pa mjaftueshëm.
Kthimi te librat e vjetër, opsioni më i kërkuar
Shumë nxënës, duke e parë pamundësinë e furnizimit me tekstet e reja shkollore, janë kthyer te librat e vjetër, duke i blerë me nga 30 -40 euro.
“Unë i kam blerë librat nga fqiu im që ka qenë një klasë para meje, sepse çmimi i librave të rinj nuk ka qenë i arritshëm me paratë e Ministrisë,prandaj i kam marr më lirë dhe janë të njëjtat”, ka thënë nëna e Kleonit Albana derisa e çonte djalin në shkollën e re.
Ndërsa për fëmijët tjerë thonë se janë ndërruar me të familjes së gjerë, njëri i ka marr të tjetrit e ky i ka dhënë vëllait apo të motrës së tij dhe kështu kanë gjetur zgjidhje./Telegram News