Policia e Kosovës ka reaguar pas një deklarate të lëshuar nga Ministria e Mbrojtjes e Serbisë, e cituar pastaj edhe nga mediat serbe, ku pretendohet se një grup pjesëtarësh të armatosur rëndë të Policisë së Kosovës kanë kaluar në mënyrë të paautorizuar vijën kufitare me Serbinë në veri të vendit.
Policia ka thënë se këto shkrime janë të pavërteta dhe se nuk qëndrojnë.
Në njoftimin e Policisë thuhet njoftimi i lëshuar nga Ministria e Mbrojtjes së Serbisë është një dezinformacion i cili ka për qëllim të krijoj pasiguri te qytetarët e asaj zone dhe të njollosë punën e Policisë së Kosovës.
“Policia e Kosovës (PK), me qëllim të informimit të drejt të opinionit dhe qytetarëve, reagon ndaj disa shkrimeve të publikuara kryesisht në media serbe, e të cilat i referohen një njoftimi të Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë, se kinse sipas tyre një grup pjesëtarësh të armatosur rëndë të Policisë së Kosovës kanë kaluar në mënyrë të paautorizuar vijën kufitare me Serbinë në veri të vendit. Shkrimet e tilla të referuara në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë, janë të pavërteta dhe nuk qëndrojnë. Andaj këto shkrime dhe njoftimi i publikuar si i tillë, është një dezinformacion i cili ka për qëllim të krijoj pasiguri te qytetarët e asaj zone dhe të njollosë punën e Policisë së Kosovës”, thuhet në reagim.