Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim shefen e re të UNICEF-it për Kosovën, Veronika Vashchenko, dhe e përgëzoi për detyrën e re, duke shprehur urimet për vazhdimin e bashkëpunimit konstruktiv.
Në takim u diskutua për rëndësinë e bashkëpunimit për të përmirësuar mirëqenien dhe zhvillimin e fëmijëve në Kosovë, njofton Presidenca. Osmani theksoi se partneriteti me UNICEF-in është i rëndësishëm për zbatimin e programeve dhe politikave që mbështesin zhvillimin dhe mbrojtjen e fëmijëve.
Presidentja vuri në dukje përpjekjet për qasjen e fëmijëve në arsim cilësor dhe fuqizimin e mirëqenies së tyre. Diskutimet u fokusuan veçanërisht në projektet për edukimin e hershëm të fëmijëve, mbështetjen e fëmijëve me nevoja të veçanta dhe ndikimin e ndryshimeve klimatike në shëndetin e tyre.
Osmani gjithashtu theksoi nevojën për zbatimin e programeve të fokusuara tek fëmijët dhe promovimin e barazisë gjinore në të gjithë sektorët.