Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Mergim Lushtaku, ka reaguar në lidhje me largimin e avokatëve nga trupat mbrojtëse të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Gjykatën Speciale në Hagë.
Ai së fundmi në një postim në llogarinë e tij në Facebook ka treguar se kush i gëzohet një veprimi të tillë.
“Largimi i avokatëve nga trupat mbrojtëse të çlirimtarëve gëzon vetëm Beogradin, shizofrenët dhe ata që flasin shqip e mendojnë serbisht”, ka shkruar Lushtaku.
Ai tutje e akuzon qeverinë për tërheqjen e avokatëve duke thënë se shkak për këtë është vonesa e pagesave ndaj tyre.
“Në këto kohë kur pritet epilogu final i Gjykatës politike e etnike në Hagë, avokat të shquar tërhiqen nga ekipet mbrojtëse të çlirimtarëve tanë shkaku i vonesave e i mos pagesës. Kjo qeveri e propagandës e cila vepron kundër tyre si të ishte e sinkronizuar me Beogradin, publikon lista të shpenzimeve duke provuar ti helmoj qytetarët me të pavërteta”, shtoi tutje ai.
Ndërkaq, Lushtaku po ashtu ka shtuar se në rast se kontestohet lufta e pastër e UÇK-së, atëherë cenohet edhe vet pavarësia e Kosovës.