Paneli i Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) ka hedhur poshtë raportin e ekspertizës së ekspertit të vet, i cili kishte konstatuar se në tenderin për ndërtimin e “Sheshit George Bush” ishin vendosur kritere të kundërligjshme. Si rezultat, Paneli lejoi Komunën e Prishtinës të vazhdojë më tej me këtë proces prokurimi.
Kohët e fundit, ky panel ka marr vendime të dyshimta, shpesh kundër ekspertizave të veta, në favor të Komunës së Prishtinës, e cila drejtohet nga Përparim Rama i LDK-së,.
Sot, janë hapur ofertat për tenderin prej 18.4 milionë euro, një nga më të mëdhenjtë në qeverisjen Rama, që mori dritën jeshile nga OSHP. Vendimi i OSHP-së rrëzoi gjetjet e ekspertit të saj, duke vendosur që, në emër të interesit publik, procedura të mos bllokohej, ndonëse Ligji për Prokurimin Publik nuk i jep kompetenca OSHP-së për të marrë vendime të tilla.
Janë katër operatorë ekonomikë në garë, dhe ofertat e tyre janë shumë të përafërta me parashikimin për kontratën. Dy nga këto kompani kanë lidhje të ngushta me AAK-në, që tashmë është në bashkëqeverisje me Ramën në Prishtinë.
Ofertat:
NTP “Poni” nga Suhareka: 18,304,280.03 euro.
Grupi “Salillari”, “Gjini Construction” dhe “Hidroterm”: 18,162,696.19 euro.
“Capital-Invest” nga Suhareka: 18,406,987.03 euro.
Grupi “Ileaa-Gr”, “Limitproject”, “World Medium”, “Rinesa” dhe “Joss&Krasniqi-Baze”: 18,300,398.37 euro.
NTP “Poni”
Kompani e themeluar në vitin 2010 nga Azem Gashi, me aktivitet kryesor punimet e kulmeve. Në vitin 2020, “Poni” përfitoi subvencione nga Ministria e Tregtisë si një kompani mikro, me më pak se 10 punonjës. Kohët e fundit, së bashku me “Top Project”, kjo kompani fitoi një kontratë për renovimin e shkollës “Gjin Gazulli” me vlerë rreth 300 mijë euro.
“Salillari” SHPK
E themeluar në vitin 1994 në Berat, kjo kompani ndërtimi ka kryer punë të shumta në Shqipëri dhe Kosovë. Administratori aktual është Bledar Starova, ndërsa pronar është Pëllumb Salillari. Së fundmi, Prokuroria e Tiranës ka marrë të pandehur Salillarin dhe Starovën për ndërtim pa leje të një pallati në zonën e Liqenit të Thatë, me vlerë 12 milionë euro. Në Kosovë, “Salillari” është në bashkëpunim me “Gjini Construction” dhe “Hidroterm”. “Gjini Construction” dhe “Hidroterm”.
Të dyja këto kompani janë të lidhura me familjarë të Blerim Kuçit, ish-kryetar i Suharekës nga AAK-ja. Pronar i “Gjini Construction” sh.p.k është kompania “Hidroterm Holding”. Kjo kompani është regjistruar para pak ditësh në ARBK, konkretisht më 6 nëntor 2024.
Pronarë të saj janë familjarët e ish-kryetarit të Suharekës nga radhët e AAK-së, Blerim Kuçi. Gjithashtu, në konsorcium me kompaninë “Salillari” dhe “Gjini Construction” është kompania “Hidroterm” sh.p.k., e themeluar nga vetë Blerim Kuçi, e cila gjithashtu është në pronësi të “Hidroterm Holding”.
“Capital-Invest” SHPK
Në pronësi të Jetmir Bytyqit, bashkëshorti i deputetes së AAK-së, Albana Bytyqi. Kjo kompani ka fituar kontrata të tjera publike, përfshirë një nga Komuna e Rahovecit.
Grupi “Ileaa-Gr” dhe të tjerë. Kompani të përfshira në këtë grup janë aktive në kontrata publike. /Demokracia.com/