Televizioni amerikan, CBS News, ka raportuar se i dyshuari për të shtëna afër fushës së golfit të kandidatit për president të ShBA-së, Donald Trump, është Ryan Wesley Routh.
Televizioni BBC ka vërtetuar profile në rrjete sociale që lidhen me emrin e tij dhe në to tregohet se ky person ka bërë thirrje që luftëtarë të huaj të shkojnë në Ukrainë për të luftuar kundër forcave ruse.
Personi që nuk ka përvojë ushtarake i kishte thënë gazetës “The New York Times” më 2023 që kishte udhëtuar në Ukrainë menjëherë pas fillimit të pushtimit rus më 2022 për të gjetur rekrutë ushtarakë në mesin e ushtarëve afganë që kishin ikur nga talibanët.
“Ushtarë, ju lutem mos më telefononi. Ne ende po mundohemi që ta bindim Ukrainën për të pranuar ushtarë afganë dhe shpresojmë që të kemi disa përgjigje në muajt e ardhshëm… ju lutem kini durim” – kishte shkruar ai në rrjetin “Facebook” në korrik.
Raportimet e hershme sugjerojmë se Routhi kishte të kaluar kriminale dhe, sipas burimeve të televizionit CBS, ai ishte akuzuar dhe dënuar për disa vepra penale, përfshirë bartjen e një arme të fshehur.
Duke folur për mediat amerikane, i biri i të dyshuarit, Oran, e përshkroi atë si “baba të dashur dhe të kujdesshëm”.
Shtëpia e Bardhë ka lëshuar një deklaratë të presidentit Joe Biden, në të cilën ai tha: “Jam i lehtësuar që ish-presidenti nuk është lënduar.”
Presidenti amerikan gjithashtu tha se “e ka drejtuar ekipin e tij për të vazhduar që të sigurohet se Shërbimi Sekret ka çdo burim, kapacitet dhe masë mbrojtëse të nevojshme për ta garantuar sigurinë e vazhdueshme të ish-presidentit”.
“Një i dyshuar është në ndalim dhe unë e lavdëroj punën e Shërbimit Sekret dhe partnerëve të tij të sundimit të ligjit për vigjilencën dhe përpjekjet e tyre për t’i mbajtur të sigurt ish-presidentin dhe ata përreth tij” – thuhet më tej në deklaratë.
Vetë ish-presidenti tha se është “i sigurt dhe i palënduar”. Në një shkrim të publikuar në rrjetin “Truth Social”, ai i falënderoi Shërbimin Sekret dhe forcat e rendit për “punën e pabesueshme” të tyre që ta mbanin atë të sigurt. “Puna e bërë ishte absolutisht e jashtëzakonshme. Unë jam shumë krenar që jam amerikan” – shkroi ai.
Agjentët u ballafaquan me personin e armatosur dhe shkrepën të paktën katër plumba rreth orës 13 e 30 minuta sipas zonës lokale kohore. I armatosuri pastaj i hodhi armën, dy çanta shpine dhe gjëra të tjera dhe iku me një veturë të zezë të tipit “Nissan”.
FBI-ja e ka quajtur incidentin “çfarë duket të jetë vrasje në tentativë e ish-presidentit”. Zyrtarë të FBI-së dhe të agjencive të tjera të rendit thanë se i dyshuari kishte një dylbi në një pushkë të tipit AK-47 dhe një kamerë “GoPro”, me të cilën dukej se synonte që ta incizonte sulmin.