Anëtarët e Komisionit të Pavarur të Mediave kanë votuar pro ndryshimit të Rregullores së Punës, saktësisht Nenit 3 për Zgjedhjen e Kryetarit dhe Nënkryetarit të KPM’së.
Me tri vota për, një kundër dhe një abstenim, u votua që tek Neni 3 të shtohet pika që mundëson zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarit të ri, para skadimit të mandatit të kryetarit dhe nënkryetarit aktual.
Kryetari aktual, Jeton Mehmeti, votoi kundër këtij propozimi.
“Përjashtimisht nga paragrafi 1 i këtij neni zgjedhja e Kryetarit, përkatësisht Nënkryetarit, mund të bëhet brenda një (1) muaji para skadimit të mandatit të Kryetarit, përkatësisht Nënkryetarit veçanarisht për t’u siguruar që KMP nuk mbetet pa Kryetar, përkatësisht Nënkryetar në rastet kur mund të mbetet pa kuorum për zgjedhjen e tyre”, është pika 2, që u shtua tek Neni 3.
Juristja Flutura Kusari alarmoi për këtë ndryshim, ku sipas saj kështu po synohen të kapen politikisht këto dy pozita.
Ajo tha se e njëjta metodë është përdorur edhe në RTK për ta zgjedhur drejtorin e ri.
“KPM ka planifiku sot me ndryshu rregulloren e punës që me mujtë me e kapë politikisht pozitën e kryetarit dhe të nënkryetarit. E pabesueshme. Ky ndryshim tinzar i rregullores, pa e përfshi as në agjendë, është dëshmi që është proces i kundërligjshëm dhe politik. Ndryshimi i rregullorës në këtë formë është i jashtëligjshëm poashtu. Ju rikujtoj që të njëjtën metodë pushteti aktual e ka përdorë në RTK për me zgjedhë drejtorin. Copy paste e njëjta metodë. wow”, ka shkruar Kusari.