Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka shfaqur shqetësimin dhe ka kundërshtuar zgjedhjen ‘‘jo legjitime të kryetarit të ri të Këshillit të Pavarur të Mediave’’.
Këtë AAK, e ka quajtur tentativë nga pushteti i Albin Kurtit, për të kapur institucionet e pavarura të mediave
Sipas AAK-së, ky veprim është sulm i drejtpërdrejtë ndaj lirisë së medias.
‘‘Ndërhyrja kaq e ashpër e pushtetit në një institucion të pavarur, pikërisht në vlugun e fushatës elektorale, s’ka si të kuptohet ndryshe përpos si përpjekje për kontroll të mediave për qëllime elektorale. Çdo përpjekje për të politizuar dhe kontrolluar institucionet e pavarura të mediave do të përballet me reagimin tonë të vendosur’’, është thënë nga kjo parti.
Po ashtu, AAK ka deklaruar se do të përdorë të gjitha mekanizmat institucional dhe ligjorë për të kundërshtuar këtë vendim.
Komunikata e plotë:
DEKLARATË PËR OPINION – Kundërshtojmë tentativën autokrate kundër fjalës së lirë
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës shpreh shqetësimin e thellë dhe kundërshtimin e prerë ndaj zgjedhjes jo legjitime të kryetarit të ri të Këshillit të Pavarur të Mediave, një veprim që shënon një tentativë të hapur të regjimit Kurti për të kapur institucionet e pavarura të mediave.
Kjo lëvizje e orkestruar përfaqëson një sulm të drejtpërdrejtë ndaj lirisë së medias dhe pluralizmit të informacionit në Kosovë. Ndërhyrja kaq e ashpër e pushtetit në një institucion të pavarur, pikërisht në vlugun e fushatës elektorale, s’ka si të kuptohet ndryshe përpos si përpjekje për kontroll të mediave për qëllime elektorale.
Çdo përpjekje për të politizuar dhe kontrolluar institucionet e pavarura të mediave do të përballet me reagimin tonë të vendosur. Liria e mediave është themeli i demokracisë sonë dhe nuk do të lejojmë që ajo të bëhet pre e ambicieve autokratike të regjimit aktual.
AAK do të përdorë të gjitha mekanizmat institucionalë dhe ligjorë për të kundërshtuar këtë vendim të paligjshëm dhe për të mbrojtur pavarësinë e mediave në Kosovë.