Policia e Kosovës ka dhënë detaje mbi një operacion gjatë ditës së sotme në veri të vendit.
Policia e Kosovës ka konfiskuar sot katër granata M-79, tetë gaz-maska, pajisje optike dhe pelerinë për snajper, më shumë se 100 fishekë të kalibrave të ndryshëm, bluza me mbishkrimin “Kalorësit e Kosovës” në alfabetin cirilik, shufër metalike, busulla e pranga.
Përveç armatimit, pjesëtarët e policisë kanë gjetur dhe konfiskuar edhe kartela grafike (Riga) për prodhimin e kripto-valutave, SIM kartela, telefona, 4 mbushës për radio lidhje, dritë rotative për veturë, si dhe 10 copë USB.
Ky armatim është gjetur në një shtëpi dhe në një objekt përcjellës të saj në veri të Mitrovicës.
Lajmin e ka konfirmuar shefi i operativës së policisë për rajonin e veriut Petrit Fejza.
Sipas tij, në lidhje me rastin është arrestuar personi me inicialet M. B. rreth 37- vjeç, ndërsa me urdhër të prokurorit atij i është caktuar masa e ndalimit 48 orë.