Prokuroria Speciale e Kosovës i ka pushuar hetimet ndaj tre malazezëve të arrestuar në fund të vitit të kaluar nën dyshimin për “nxitje të urrejtjes dhe mosdurimit”, konfirmoi të premten zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Liridona Kozmaqi.
Kozmaqi tha se “nga provat e siguruara nuk është vërtetuar se të pandehurit R.K. M.J. dhe D.L. e kanë kryer veprën penale, për të cilën është zhvilluar hetimi nga Prokuroria Speciale”.
Policia e Kosovës i arrestoi më Rajko Krivokapiq, 34 vjeç, Marinko Jovanoviq, 24 vjeç, dhe Dragutin Llallatoviq, 24 vjeç, për shkak se targat e automjetit me të cilin kishin shkuar në manastirin e Deçanit më 24 nëntor 2024, mbanin mbishkrimin “Kosova është Serbi”.
Mbishkrimet që e paraqesin Kosovën si pjesë të Serbisë, autoritetet kosovare i trajtojnë si provokim dhe nxitje të urrejtjes dhe mosdurimit kombëtar.
Ata janë mbajtur në paraburgim prej nëntorit 2024 me urdhër të Gjykatës Themelore në Pjesë.
Pas arrestimit të tyre në nëntor, ministri i Mbrojtjes i Malit të Zi, Dragan Krapoviq, tha se dy nga tre të arrestuarit ishin pjesëtarë të Ushtrisë së Malit të Zi, dhe “ata zyrtarisht ndodhen në pushim mjekësor”.
“Bëhet fjalë për pjesëtarë të mirë dhe shembullorë të ushtrisë”, tha Krapoviq asokohe.
Arrestimi i tyre kishte nxitur protestë dhe reagim nga Kisha Ortodokse Serbe në Mal të Zi, si dhe nga kryetari i komunës së Nikshiqit, Marko Kovaçeviq, i cili është funksionar i partisë Demokracia e Re Serbe (Nova Srpska Demokratija – NSD), pjesë e Frontit Demokratik prorus që së fundmi është shpërbërë.
Asokohe, Kisha Ortodokse Serbe në Mal të Zi tha se kishte nisur “një protestë të ashpër ndaj krahinës jugore serbe për arrestimin e besimtarëve”, si dhe një protestë ndaj autoriteteve malazeze.
Partitë politike proserbe në Mal të Zi, si dhe Kisha Ortodokse Serbe, nuk e njohin Kosovën si shtet të pavarur, por e konsiderojnë si territor të Serbisë.
Mali i Zi e ka njohur pavarësinë e Kosovës në vitin 2008, gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike të Socialistëve, e cila u rrëzua nga pushteti në gusht të vitit 2020./Radio Evropa e Lirë/