Xhudistja nga Kosova, Loriana Kuka ka konfirmuar pensionimin mes emocioneve të mëdha dhe lotëve në një prononcim për faqen zyrtare të Komitetit Olimpik të Kosovës.
Loriana Kuka ka zhvilluar garën e fundit gjatë ditës së sotme (e enjte), ku në kategorinë deri në 78 kilogramë në Lojërat Olimpike “Paris 2024” u eliminua në raundin e 1/8-tës, pasi fillimisht fitoi ndeshjen e parë.
Pas ndeshjeve, trajneri dhe xhaxhai i saj Driton Kuka, la të kuptohet se Loriana do të pensionohet, ndërsa më vonë faqja zyrtare e KOK-ut konfirmoi një gjë të tillë.
Disa minuta më vonë ishte vet Loriana, e cila konfirmoi mes lotësh se tashmë ka zhvilluar garën e fundit dhe ka vendosur të pensionohet në moshën 27-vjeçare.
“E kom nis ditën shumë mirë, kam qenë shumë e fokusuar dhe jam shumë e lumtur që kam arritur së paku luftën e parë ta fitojë. Në luftën e dytë kam qenë gjithashtu e koncentruar, e kam ditë se çfarë duhet të bëjë, por fati nuk deshi që të shkojë deri në çerekfinale”, ka thënë fillimisht Loriana.
“Kom garuar me plotë lëndime dhe për këtë jam shumë krenare çfarë kam arritur deri sot, që kam garuar deri sot me lëndime dhe nuk jam ndal asnjëherë ”.
“Kjo ka qenë gara e fundit për mu, kam dashur ta përfundoj më mirë normalisht, por jam krenare për çfarë kam arritur deri tash”, përfundoi mes lotësh 27-vjeçarja.