Drejtuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës, të kryesuar nga presidenti Ismet Krasniqi, së bashku me përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës, Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit me në krye zëvendësministren Daulina Osmani dhe komunës së Prishtinës, me kryetarin Përparim Rama, zhvilluan takim me rëndësi të veçantë me përfaqësuesit e Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG), presidentin Davide Pizzano, sekretarin e përgjithshëm, Iakovos Filippousis dhe kryetarin e Komisionit Ligjor, Francesco Purromuto.
Në takimin e mbajtur në Athinë të Greqisë, u diskutua progresi i themelimit të komitetit organizativ dhe çështjet përgatitore për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030.
Takimi dëshmoi një unitet të jashtëzakonshëm të hisedarëve kyç dhe konfirmoi se jemi në rrugën e duhur për të organizuar një ngjarje madhështore siç janë LM Prishtina 2030.
Palët u dakorduan që me kapacitetet dhe aftësitë tona, si dhe me bashkëpunimin ndër-institucional, të vlerësuara lartë nga ICMG, jemi të gatshëm të vazhdojmë me realizimin e qëllimeve tona të përbashkëta, të krijojmë një trashëgimi të jashtëzakonshme për brezat e ardhshëm dhe duke shndërruar në realitet ëndrrën e komunitetit sportivë dhe çdo qytetari të Republikës së Kosovës!
Si produkt i këtij takimi frytshëm, u identifikuan detyrimet që duhet të realizojmë brenda afateve të caktuara.
Pas këtij takimi, delegacioni i ICMG do të vizitojë Prishtinën për të definuar hapat e planifikimit infrastrukturor dhe operacional.
Takimi dëshmoi se institucionet tona janë të motivuara dhe të përkushtuara që së bashku të realizojmë projektin më të madh në historinë e sportit kosovar.