Instrumentalizimi i Policisë së Kosovës nga Qeveria Kurti, për çka kishte alarmuar muaj më parë Ambasada e ShBA’së në Kosovë, u dëshmua sot me aksionin që u krye për mbylljen e komunave paralele. Bastisjet në këto lokacione u kryen pa autorizimin e Prokurorisë. I gjithë aksioni u zhvillua nga Policia, MPB’ja, MINT e MAPL “krye në veti”, pa u përfillur procedura e parapara me Kodin e Procedurës Penale.
Policia e Kosovës e ka nisur ditën sot me një aksion të gjerë. Në dhjetë komuna të vendit, janë kryer bastisje, që kanë rezultuar me mbyllje të disa zyreve paralele.
Aksionin e konfirmoi zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.
“Mund të konfirmojmë se, sot në orët e hershme të mëngjesit, Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet kompetente ka filluar realizimin e një operacioni policor i cili përfshinë disa rajone të Kosovës, si DRP Prishtinë, DRP Gjilan, DRP Gjakovë dhe DRP Mitrovicë Jugu”, deklaroi Kelani.
Më shumë detaje për këtë aksion dha Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. Ai njoftoi se janë mbyllur komunat paralele në Lipjan, Obiliq, Prishtinë, Fushë Kosovë, Vushtrri, Novobërdë, Kamenicë, Viti, Rahovec, Skënderaj si dhe posta e zyra tatimore ilegale.
Sveçla shtoi se ky ishte aksion i përbashkët mes MPB’së e Policisë si dhe Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë si dhe Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal.
“Siç edhe jemi zotuar, nuk lejojmë asnjë paralelizëm e aq më tepër kriminal të Serbisë që të cënojë Kushtetutën e ligjshmërinë në vendin tone”, shkroi Sveçla.
Disa orë pas postimit të Sveçlës, Prokuroria Themelore e Prishtinës doli me reagim, ku tha se këto bastisje janë kryer pa autorizimin e saj.
Në komunikatën e lëshuar nga Prokuroria thuhet se aa nuk kanë autorizuar kryerjen e bastisjeve në këto lokacione meqë nuk kanë pasur ndonjë kërkesë zyrtare me shkrim nga institucionet dhe se nuk u është ofruar kurrfarë prove për t’u krijuar dyshimi i bazuar se është duke u kryer ndonjë vepër penale.
“Prokurori i shtetit duke pasur parasysh faktin që me këtë rast nuk janë përfillur procedurat e nevojshme të përcaktuara decidivisht në Kodin e Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, nuk ka mundur që në rastin konkret të lëshohet çfarëdo autorizimi. Prokurori i shtetit është i gatshëm dhe i përkushtuar në ndjekjen e veprave penale dhe kryerësve të tyre, gjithmonë duke u bazuar në legjislacionin në fuqi, si dhe duke u bazuar në parimin e barazisë dhe mos diskriminimit të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës”, thuhet në reagimin e Prokurorisë.
Më 30 gusht të vitit të kaluar, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, kishte lëshuar një reagim pas një aksioni që ishte zhvilluar në veri të vendit për mbylljen e disa komunave paralele.
Në atë reagim Ambasada alarmonte se Policia e Kosovës po instrumentalizohet vazhdueshëm nga Qeveria “për të kryer veprime të pakoordinuara”, teksa kishte paralajmëruar se këto veprime do të ndikonin edhe në natyrën e bashkëpunimit me këtë institucion.
“Përderisa qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është krenare që ka mbështetur themelimin dhe profesionalizimin e Policisë së Kosovës përgjatë shumë viteve si pjesë e përkushtimit tonë për promovimin e sigurisë dhe stabilitetit, instrumentalizimi i vazhdueshëm i Policisë së Kosovës nga ana e qeverisë për të kryer veprime të pakoordinuara nuk është në përputhje me premtimet e Kosovës që të „vazhdojë konsultimin dhe koordinimin me komunitetin ndërkombëtar”. Veprimet e Qeverisë do të ndikojnë edhe në cilësinë dhe natyrën e bashkëpunimit tonë me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe vartësit e saj”, thuhej në reagimin e ambasadës. /Reporteri/