Bashkimi Evropian (BE), ka kritikuar veprimet e Kosovës për mbylljen e strukturave paralele të mbështetura nga Serbia në disa komuna, duke deklaruar se këto masa bien në kundërshtim me detyrimet e Kosovës ndaj BE-së në kuadër të procesit të normalizimit.
Në një deklaratë të BE-së thuhet se këto veprime janë ndërmarrë në mes të fushatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit dhe nuk ndihmojnë në uljen e tensioneve në veri.
“Veprimet e fundit të Kosovës kundër dhe mbyllja e strukturave të mbështetura nga Serbia, të kryera në mes të fushatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, bien ndesh me detyrimet e saj ndaj Bashkimit Evropian në kuadër të procesit të normalizimit. EULEX-i është duke monitoruar sjelljen e këtyre veprimeve të fundit në përputhje me mandatin e tij.”, thuhet në reagimin e BE-së.
BE-ja gjithashtu ka theksuar se statusi i këtyre strukturave duhet të zgjidhet përmes dialogut dhe ka kërkuar që Kosova të respektojë obligimet e saj brenda këtij procesi.
BE-ja gjithashtu ka potencuar se heqja graduale e masave ndaj Kosovës varet nga hapat që kjo e fundit ndërmerr për depërshkallëzimin e tensioneve në veri dhe përmbushjen e angazhimeve të dialogut të lehtësuar nga BE-ja.
Policia e Kosovës ka mbyllur të mërkurën disa struktura paralele në komuna si Lipjan, Obiliq, Prishtinë, Fushë-Kosovë, Vushtrri, Novobërdë, Kamenicë, Viti, Rahovec, Skenderaj, si dhe poste dhe zyra tatimore ilegale të drejtuara nga Serbia.