Ish-kryeministri i Kosovës dhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se në qeverinë e ardhshme, Kosova do të nisë të zbatojë marrëveshjen e Washingtonit.
Hoti që ishte nënshkrues i Marrëveshjes së Washingtonit, tha se krejt kjo do të bëhet për të nisur investimet në energjetikë, autostrada e hekurudha.
“Në qeverinë e ardhshme, Kosova do të nis të zbatojë marrëveshjen e Washingtonit për të nisur investimet në energjetikë, autostrada e hekurudha.”, ka shkruar Hoti.
Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, u nënshkrua më 4 shtator të vitit 2020 në Shtëpinë e Bardhë, në praninë e presidentit të atëhershëm amerikan Donald Trump.
Dy versione të dokumenteve për palën e Kosovës dhe atë të Serbisë, i kanë nënshkruar kryeministri i atëhershëm i Kosovës Avdullah Hoti dhe presidenti aktual i Serbisë Aleksandar Vuçiq.