Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti ka deklaruar se prej më shumë se një viti, Kosova është nën masa financiare nga BE-ja që kanë bllokuar reformat ekonomike dhe institucionale të rëndësishme për integrimin në BE, siç përcaktohet në Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit (MSA) të vitit 2016.
Sipas Hotit, situata është përkeqësuar më tej me kërcënimet e fundit nga vendet kryesore të BE-së për përjashtimin e Kosovës nga Procesi i Berlinit, mekanizmi formal për përgatitjen e Ballkanit Perëndimor për integrim evropian.
Po ashtu, ai thekson paralajmërimet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) për mundësinë e ndërprerjes së bashkëpunimit me Policinë e Kosovës.
Hoti ka ngritur shqetësime të mëdha për cnimin e partneritetit strategjik të Kosovës me SHBA-në, duke e cilësuar si një “alarm shqetësues” për çdo qytetar që dëshiron integrimin e Kosovës në BE dhe NATO, dhe një partneritet të ngushtë me SHBA-në.
Postimi i plotë:
Shtetet e Bashkuara të Amerikës nënshkruajnë marrëveshje me Serbinë për bashkëpunim strategjik shumëvjeçar në fushën e energjisë, fushë që është bërë çështje e sigurisë kombëtare. Serbia gjithashtu hyn në marrëveshje me Gjermaninë për shfrytëzimin e litiumit, si dhe me Francën për furnizim me avionë ushtarak.
Në anën tjetër, Kosova është nën masa financiare nga BE-ja për më shumë se një vit, të cilat i kanë bllokuar reformat ekonomike e institucionale të Kosovës drejt BE-së, siç përcaktohet me Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit Kosovë-BE të vitit 2016. Së fundmi, Kosova po kërcënohet nga vendet kryesore të BE-së me përjashtim nga Procesi i Berlinit, i cili është mekanizmi formal i përgatitjes së Ballkanit Perëndimor për integrim evropian. Po ashtu, kanë ardhur paralajmërime nga SHBA-ja se mund të ndërpritet bashkëpunimi me Policinë e Kosovës.
Çdo qytetar sot duhet të pyes Kurtin dhe Osmanin: Përse nuk u zbatua Marrëveshja e Uashingtonit e 4 shtatorit 2020, e cila pritej të zgjidhte problemin e furnizimit me energji në Kosovë? Përse u anulua projekti i gazit? Përse nënçmohej partneriteti me SHBA për gaz duke iu referuar “aleanca e gypave”? Përse nuk u nis me amerikanët hekurudha për Durrës? Përse nuk u zbatua “Marrëveshja Kosovë-SHBA e 31 dhjetorit 2020 për nxitjen e investime”, e cila pritej të mobilizonte investimet amerikane në Kosovë? Kujt i përshtatet moszbatimi i Marrëveshjes së Uashingtonit nga ana e Kosovës?
Cenimi i partneritetit strategjik të Kosovës me SHBA-në duhet të jetë alarm shqetësues për secilin qytetar që e do Kosovën në BE dhe NATO, e në partneritet të ngushtë me SHBA-në.
Më 9 shkurt 2025 qytetarët vendosin për qeverisjen e ardhshme. Kjo është dita kur duhet të marrë fund kjo qeverisje e dëmshme për Kosovën, si dhe për aleatët e Kosovës që duan ta shohin popullin e Kosovës pjesë të familjes së popujve në BE dhe NATO.