Fishekzjarrët e lëshuara nga një jaht në Greqi shkaktuan një zjarr në pyll në ishullin Hidra të premten, thanë autoritetet lokale të zjarrfikësve.
Zjarri dogji pyllin e vetëm me pisha në ishullin turistik në jug të Athinës dhe ai mezi u vu nën kontroll. Duke qenë se nuk ka rrugë për në plazh, zjarrfikësit janë dashur t’i afrohen nga deti, ndërsa helikopterët kanë hedhur ujë nga ajri, shkruan BBC.
Shkaku i zjarrit ka ngjallur zemërim në Greqi, e cila tashmë ka luftuar disa zjarre dhe është nën kontrollin e valës së parë të të nxehtit të vitit.
“Ne jemi të indinjuar që disa njerëz hedhin fishekzjarrë në mënyrë kaq të papërgjegjshme në pyllin me pisha,” tha kryetari i bashkisë së Hidrës, Giorgos Koukoudakis për televizionin grek ERT. Ai shtoi se qyteti do të kërkojë të ndërmarrë veprime ligjore kundër pasagjerëve të jahtit.
Dënime ka pasur edhe në rrjetet sociale. “Njerëz të pasur me më shumë para se tru”, ka shkruar një person.
Në fillim të këtij viti, Greqia miratoi ligje më të rrepta për zjarrvënien, dhe autorët tani përballen me 20 vjet burg dhe gjoba deri në 200 mijë euro.