Presidenti serb Aleksandar Vuçiç bisedoi sot në Beograd me të dërguarin e posaçëm të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Saraçin për dialogun mes Serbisë dhe Kosovës.
Vuçiç tha në llogarinë e tij në Instagram se kishte një bisedë “të hapur dhe të drejtpërdrejtë” me Sarazinën për situatën në rajon dhe “marrëveshjet e paplotësuara” nga dialogu mes Serbisë dhe Kosovës, “në radhë të parë ato që kanë të bëjnë me sigurinë e serbëve” në Kosovë dhe formimin e Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe.
“Unë përsërita se si Gjermania ashtu edhe komuniteti ndërkombëtar kanë një partner të besueshëm në Serbi në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit, forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe prosperitetit, por se mbrojtja e interesave kombëtare të shtetit dhe popullit serb do të jetë gjithmonë prioriteti ynë”, tha Vuçiç në Instagram.
Më 13 qershor, ambasadori gjerman në Prishtinë, Jørn Rohde përsëriti qëndrimin e Gjermanisë se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të përfundohet me njohje reciproke.
“Vetëm për t’ju kujtuar: Lexoni deklaratën e qartë të kancelarit Olaf Scholz gjatë vizitës së tij në Kosovë dhe Serbi në qershor 2022 mbi normalizimin, përfshirë njohjen dypalëshe”, ka shkruar Rohde në rrjetin social X.
Ai tha se “kjo është ende e vlefshme”, duke shtuar se tashmë është hapur rruga për Kosovën dhe Serbinë përmes zbatimit “të menjëhershëm” të marrëveshjeve të arritura në vitin 2023 për normalizimin e marrëdhënieve fqinjësore.
Deklarata e tij erdhi menjëherë pasi ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, tha në një intervistë me të përjavshmen e Beogradit NIN më 13 qershor se njohja formale e Kosovës nuk do të ishte kusht për pranimin e Serbisë në Bashkimin Evropian (BE).
“Marrëveshja e Ohrit aktualisht e bën të qartë këtë: nëse nuk ka përparim në normalizimin, nuk do të ketë përparim në negociatat e anëtarësimit,” tha ai.
Me ndërmjetësimin e BE-së, Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve në vitin 2023. Më vonë u bë e njohur si Marrëveshja e Ohrit, por mbeti kryesisht e pazbatuar.
Bashkimi Evropian, megjithatë, nuk e ka bërë të qartë nëse njohja formale e Kosovës do të jetë kusht për pranimin e Serbisë në BE dhe Stano përsëriti se “qëndrimi i bllokut për këtë çështje mbetet i pandryshuar.”