Propaganda e LVV-së që po zhvillohet në rrjetet sociale, kryesisht në Facebook, ka përfshirë një fushatë të tmerrshme kundër sistemit prokurorial dhe gjyqësor të Republikës së Kosovës dhe kundër PDK-së ,LDK-së, AAK-së dhe të gjithë spektrit partiakë në Kosovë të cilët kanë pikëpamje të kundërta ideologjike dhe programore me LVV-në e Albin Kurtit.
Këto ditë shihet qartë se ka një rikthim të forcës së ashtuquajtur “armatë kompjuterike” e LVV-së kundër tjerëve, pa zgjedhur mjete ofenduese në dëm të të gjitha subjekteve politike dhe Prokurorisë e gjyqësorit.
Prej kohësh thuhet e dihet se LVV ka një sallë operative ku linçohen, shahen dhe ofendohet të gjithë kundërshtarët e kësaj partie.
Njëri ndër ish-anëtarët më aktiv të Lëvizjes Vetëvendosje që edhe financiarisht ka ndihmuar këtë parti dhe Kurtin, Florin Krasniqi që njihet për deklaratat më bombastike kundër Albin Kurtit dhe LVV-së, madje ka thënë se sa ishte në vetëvendosje i kishin dhënë edhe libra të Vlladimir Iliq Leninit, për ta mbushur kupën e përgatitjes ideo-politike kundër të tjerëve.
Florin Krasniqi: Kur isha në VV i kanë pas 20 kompjuterë për sondazhe, sharje e postime
Florin Krasniqi, ish-deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, i njohur për komente të forta e të drejtpërdrejta, në Dukagjin ka treguar lidhur me propagandën e kësaj partie kundër kundërshtarëve të Kurtit dhe në dalje të rralla televizive, Krasniqi ka treguar një histori të hershme me VV-në.
Sipas ish-anëtarit të kësaj partie , VV kishte një dhomë e disa kompjuterë, të cilët shfrytëzoheshin për të sharë njerëz në rrjete sociale.
Ndërsa tash ai tha se kjo dhomë është edhe më e madhe, e madje VV ka krijuar sistem për këtë punë.
“E kanë sistemin. Kur jam kanë unë aty i kanë pasë nja 20 kompjutera të vjetër. Edhe i thosha çka janë këta? Tha këta janë për media. E veta njanin aty që e kam pasë më shok, tha jo more këta shajnë gjinë, bajnë postime. A din, e kanë pasë renin, dy rena, ni sobë t’gatë e kanë pasë për media a din? Tash i kanë bo tri (soba) e kanë bo sallën e madhe, e kanë sistemin, e kam pa me sytë e mi”, ka thënë Krasniqi.
Gjithashtu, Krasniqi u ka kërkuar falje njerëzve që ai i ka dërguar në VV, sepse ai nuk e ka ditur që ata do ta sjellin Kosovën deri në këtë pikë ku është sot.
“Iu kerkoj falje njerëzve që i kam çu në VV, sepse nuk e kam dit që këta e bijnë Kosovën në këtë situatë”, ka thënë Krasniqi në Debat Plus kohë më parë.
Florin Krasniqi ka thënë tutje se kur janë në pyetje sondazhet, të tjerët janë të humbur duke kërkuar që të mos bëhen sondazhe online pasi që VV-ja, ka salla të mëdha me kompjuterë të shumtë enkas për media, ku aktivistët e kësaj partie bëjnë postime dhe shajnë, e shkruajnë.
“Mos bëj kësi sondazhesh. Vetëvendosja e kanë sistemin për këtë punë, mos bëj kështu se kanë sistemin. Kur jam kanë unë atu kanë pas nja 20 kompjuter të vjetër. Dhe thojsha se çka janë këta? Tha këta janë për media. E veta njanin aty që e kam pas më shok, jo more tha, këta shajnë e bëjnë postime. I kanë pas dy rena, një sobë të gjatë për media. Tash e kanë ba sallën e madhe, e kanë sistemin. Mos bëj kësi të lutëm. Mos bo kështu se e degradon emisionin tënd. Vetëvendosja e kanë sistemin”, ka thënë Krasniqi.
Fatmir Humolli, ish-deputet nga radhët e VV-së: Në VV janë formuar grupe që godasin çdo frymë tjetër politike
Fatmir Humolli, iah-deputet i Kuvendit të Kosovës nga VV ka folur në lidhje me partinë që dikur ishte pjesë e saj dhe ka thënë: “Në VV janë formuar grupe militante “për të goditur çdo frymë që mendon ndryshe”.
“Grupet militante janë formuar për të goditur çdo frymë që mendon ndryshe dhe unë kam pasur deputetë që kanë thënë s’mundem me u largu ose me u rreshtua ndryshe se s’mundën me i durua fyerjet e këtyre grupeve’’, thotë Humolli.
Avokati Skënder Musa: Fushata linçuese kundër PSRK-së paraqet vepër penale, duhet filluar hetimet
Avokati i mirënjohur kosovar Skënder Musa, ka dhënë versionin juridik rreth linçimeve që po ndodhin në rrjetet sociale dhe kudo tjetër e aktualisht kundër Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) ku është fokusuar goditja e LVV-së kundër Kryeprokurorit Bleim Isufaj dhe lidhur me këto sulme linçuese në prag të fushatës zgjedhore Musa thotë:
“Fushata linçuese kundër Kryeprokurit të PSRK-së është e pa pranueshme dhe paraqet vepër penale, prandaj duhet prokuroria e shtetit dhe Policia e Kosovës t’i fillojnë hetimet dhe ti zbulojnë kryerësit e veprave penale, që publikojnë çdo ditë e më shumë linçime dhe ofendime të tilla, duke marrë rol shqetësues në shoqërinë e Kosovës, aq më shumë që tani jemi në prag të fushatës zgjedhore. Është e papranueshme kur rregullat e KQZ-së dhe organeve ndajnë kohë adekuate për të racionalizuar paraqitjen mediatike të partive në fushatë, e një subjekt shpërndan propagandë ofenduese dhe linçuese në rrjete sociale, bile duke mos u thirrur në ballafaqime tezash profesionale, por duke atakuar dhe ofenduar e kualifikuar me gjuhën më denigruese të gjithë ata që mendojnë ndryshe, madje përfshirë edhe prokurorinë e shtetit dhe gjyqësorin.
Pavarsia e Prokurorisë mbrohet me kushtetutë dhe me ligj dhe sulmet e tilla janë të denueshme. Ne këtë stad të zhvillimit të kriminalitetit dhe mos durimit në bazë të pozitës së organeve të pavarura nga oponentë të ndryshëm politikë, duhet të veprojnë policia dhe prokuroria e krimeve të rënda. Në rast se nuk ka reagim te policisë dhe prokurorisë për zbulimin e këtyre personave, mund te rrezikohet jeta, apo shëndeti i personit zyrtar, prandaj konsideroj se organet e hetuesisë dhe të drejtësisë duhet të veprojnë në mënyrë efektive dhe fuqishëm në zbardhjen e këtyre rasteve dhe personat përgjegjës dhe nxitësit e tyre, t’i nxjerrë para drejtësisë”, ka thënë avokati Skënder Musa.
Blerim Burjani: Ofendimet janë kundërvajtje, ndërsa kërcënimet vepra penale
Eksperti kushtetues dhe i drejtësisë profesori Blerim Burjani, duke sqaruar gjendjen aktuale të shfaqjes së linçimeve në prag të fushatës elektorale ka thënë për Telegram News:
“Ofendimet, janë kundërvajtje, ndërsa kërcënimet janë vepër penale. Duhet të aktiviziohet ndalesa e sulmeve kibernetike, sharjet, fyerjet dhe kërcënimet. Duhet të kërkohen adresat internetit dhe paraqitjet fantome të cilat vazhdojnë të sjellin shqetësime tek të gjithë njerëzit , duhet të zbulohet lokacioni i dërgimit të këtyre emaileve të mbrapshta, kudo që dalin ato”, ka thënë Burjani.
Analisti Selatin Retkoceri: Fushtë e tmerrshme kundër Kryeprokurorit Isufaj,”armata e Facebook-ut” dhe “dhoma e propagandës kompjuterike”, duhet të çmontohen
E ashtuquajtura “armata e Facebookut” që aktivizohet furishëm sidomos në kohë zgjedhjesh dhe sulmeve të koordinuara kundër ndonjë personaliteti apo institucioni që nuk i shkon përshtati Vetëvendosjes. Këto ditë e ashtuquajtura “soba e propogandës” sipas Florin Krasniqit është aktivizuar për të sulmuar Gjykatën dhe Prokurorinë Speciale e sidomos kryetarin e kësaj prokurorie z.Blerim Isufajn. Sulmet kundër kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale janë intensifikuar, sidomos pas ftesës së parë që Prokuroria i bëri Kryeministrit për një dëshmi në rastin e keqpërdorimit me rezervat shtetërore. Meqë në këtë muaj futemi në fushatë zgjedhore, atëherë presim që kjo dhomë që është aktive brenda zyrave të VV-së, do të jetë shumë aktive dhe do të sulmojë me të gjitha mjetet jo vetëm Prokurorinë e gjyqësinë, por edhe partitë politike dhe të gjithë oponentët politikë që i shohin si konkurrentë për ti mundur në zgjedhje”, ka thënë Selatin Retkoceri./Telegram News