Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka takuar sot përfaqësuesit e Kosst-it dhe Keds-it për shqyrtim të gjendjes energjetike në vend dhe ka thënë se është e pasaktë që të lidhet subvencionimi i pajisjeve efiçiente me ngritjen e ngarkesës në rrjetin energjetik pas problemeve të fundit me rrymën në vend, por ekspertët e fushës e kanë cilësuar “vjedhje të pamëshirshme të qytetarëve të Kosovës.
“Ka pasur keqinformim. Nuk po them nga mediat, por në opinionin publik. Sigurisht që kur janë dizajnuar skemat e subvenciomit është menduar çdo detaj, prandaj që ka qenë kushti që nuk mund të përfitoni nga pajisjet efiçiente, përveç nëse jeni konsumator që është duke u ngrohur me energji elektrike me kalda, me pajisje jo efiçiente dhe nuk keni asnjë opsion tjetër, nëse i shihni kriteret e skemës, këto kanë qenë kriteret e skemës”, tha ministrja pas një takimi me përfaqësuesit e KOSTT dhe KEDS.
Evetar Zeqiri, kryeshef ekzekutiv i KOSTT-it, ka folur në lidhje me reduktimet e energjisë elektrike me të cilat po përballet Kosova. Në një konferencë për media, Zeqiri ka dhënë një arsye interesante për këtë mungesë të rrymës. Sipas Zeqirit, “reduktimet janë bërë për shkak të ngarkesës së jashtëzakonshme si rezultat i zhvillimit ekonomik”, ka qenë deklarata e tij që ka zgjuar irritim në masë.
Deputeti i PDK-së Ferat Shala: Faturimi mbi 120% i rrymës, vjen nga keqmenaxhimi i Qeverisë me sistemin elektroenergjetik të Kosovës
“Fatuat e larta të energjisë mbi 120%, vinë si rezultat i keqmenaxhimit të shtetit me energjinë elektrike sepse kanë subvencionuar një sistem përdorimi, pajisje shpenzuese të rrymës në emër të efiqiencës dhe kjo flet për një amatorizëm eklatant të shtetit me energjinë elektrike. Qeveria Kurti ka hequr dorë nga disa ide dhe projekte kapitale si pjesë e sigurisë kombëtare të prodhimit të energjisë elektrike dhe tash të subvencionohen pajisje që shpenzojnë edhe këtë rrymë që e kemi e që është skemë mashtrimi. Situata energjetike në Kosovë, po kthehet në vitet e pasluftës ku qytetarët po i aktivizojnë gjeneratorët në përdorim.
Gjendja me energjinë elektrike kurrë nuk ka qenë më e keqe se sot derisa rryma po blihet nga tregu i jashtëm e këtu këta flasin sikur kanë mjaftueshëm rrymë por, gjoja nuk e përballon rrjeti elektrik”, ka thënë për Telegram News deputeti i PDK-së Ferat Shala.
Në rrjetin elektrik të Kosovës janë investuar rreth 300 milionë euro në emër të përmirësimit të rezistencës së transmisionit të energjisë elektrike.
Analisti Selatin Retkoceri: Po vazhdon vjedhja e pamëshirshme e qytetarëve nga KEDS dhe KESCO e miratuar nga ZRRE
“Me keqardhje duhet të shpjegoj për qytetarët e Republikës së Kosovës se KEDS dhe KESKO po i vjedhin pamëshirshëm qytetarët e Republikës së Kosovës dhe kjo vjedhje po mbështetet nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) dhe MZHE. Çmimi i kontraktuar i KEK për një kilovat orë energji është 2.95 euro/cent, apo diku për 30.00€ megavatin, derisa KEDS konsumatorëve ua shet për 180.00€ tarifën e lartë, derisa pas aplikimit të bllok tarifës e paguajmë 360.00€ megavatin. Kurse për tarifën e ulët të natës KEDS na e shet energjinë 90.00€ gjegjësisht 180.00€ megavati për ata që e kalojnë shpenzimin mbi 800kwh. Tani ju qytetar të dashur mund ta vlerësoni vet se çfarë fitimi gjeneron KEDS dhe KESCO nga shitja e energjisë elektrike që e prodhon KEK dhe ua shet 30€ dy distributerëve, derisa KEDS na e shet neve mesatarisht 200€ megavatin. Edhe në rastet kur vjen deri te mungesa e energjisë në vendin tonë, duhet të blihet rryma nga tregu ndërkombëtar ku çmimet sillen nga 22 deri 90 euro, për një megavat orë energji. Shtrohet pyetja pse qytetarët duhet ta paguajnë dyfishin e deri në pesëfishin e çmimit të blerjes, plus 70% të energjisë që e prodhon KEK çmimi është shumë i lirë, pastaj subvencionimi që qeveria ja ka bë KEK-ut, por në fakt këto subvencione i ka përfituar distributori e jo KEK. Qeveria përveç që ka paguar koston e rrymës së blerë, ka paguar edhe gjenerimin e fitimit për kompanitë private turke. Kështu vazhdon plaçkitja e qytetarëve nga qeveria e vet, qeveri kjo që më tepër interesohet për oligarkët privat të tregut të energjisë, sesa për qytetarët e vet që gjatë këtyre ditëve të ftohta dimri, kanë përjetuar terrin e të ftohtin me orë të tëra nga mungesa e dritave që gjatë të shtunës e të dielës së kaluar shkoi diku – diku edhe deri 20 orë pa rrymë e vetëm 4 orë me të. Kjo që po ndodh me mafian energjetike në vendin tonë, ku kemi të implikuar zyrtarë të lartë qeveritar si rasti i Martin Berishajt i cili si ambasador i Kosovës në Kroaci, nuk do të duhej të merret me shitblerje të energjisë e sidomos jo nga GEN-i serb.
Për ta qartësuar më mirë gjendjen pra, të gjithë ata që i kanë kaluar 800 kw, në vend që të paguajnë më pak, ata që harxhojnë më shumë, paguajnë dyfishin pse harxhojnë më shumë”, ka thënë Retkoceri./Telegram News