Çmimet tavan, çmimet e kontrolluara, unifikimi i çmimeve të barnave, artikujve medicionalë dhe të gjithë artikujve tjerë të konsumit në ekonomi të tregut, siç del nga goja e ministrit të Shëndetësisë Arben Vitia, duke propaguar për një unifikim të çmimeve farmaceutike, janë antiligjore e antikushtetuese.
Analisti ekonomik Selatin Retkoceri, ka kritikuar deklaratat e Ministrit të Shëndetësisë Arben Vitia për një unifikim të tregut farmaceutik të Kosovës dhe ka thënë se tregu i çmimeve duhet ta ruaj parimin kushtetues të tregut të lirë .
“Besoj se në kuadër të departamenteve të ministrisë që ai drejton është një zyrë ligjore që do të duhej të informonte se ligje të tilla, janë kundërkushtetuese dhe kundër ekonomisë së lirë me të cilin ne e kemi sanksionuar ekonominë tonë në kuadër të kushtetutës së vendit”, ka sqaruar për gazetën telegram News, analisti Retkoceri dhe shton:
“Ligji për Unifikimin e Çmimeve të Barnave, është një ligj që do të duhej të dërgohet në kushtetuese për ta vlerësuar kushtetutëshmërinë e tij. Nëse ky ligj fillon së zbatuari atëherë nuk do të kemi automatikisht zbritje të çmimeve, ndoshta në një kategori të caktuar të barnave mund të ndodh, derisa shumica e barërave të tjera do të pësojnë rritje të çmimeve të shitjes. Të pretendosh të unifikosh çmimet në një treg që funksionon sipas ekonomisë së lirë të tregut, ku çmimet caktohen nga oferta e kërkesa në treg, vërtetë na dërgon drejt një përcaktimi të ekonomisë së kontrolluar apo në ish sistemet socialiste”, thotë ai.
Unifikim i çmimeve do të thotë dalje nga tregu i lirë si koncept kushtetues i shtetit të Republikës së Kosovës
“Unifikimi do të thotë kur masat shtetërore caktohojnë çmimet ku zakonisht pretendohet për çmimet që mbulojnë kostot e barërave dhe kostot operative të shitjes, kështu që nga çmimet e shitjes së barnave duhet të ketë një diferencë të caktuar me këtë unifikim nga ndërhyrja e shtetit, apo si ne e quajmë në ekonomi një marzhë tregtare e kontrolluar. Fillimi i aplikimit të këtij ligji do të tentonte të barazonte të gjitha barnatoret dhe depot që të gjenerojnë një fitim të barabartë për të gjithë tregtarët e barnave. Ky ligj nëse arrin të filloj së aplikuari, atëherë nga tash e tutje tregtarët farmaceutikë do të kenë vetëm fitime, por jo edhe humbje, sepse çmimet do të jenë të kontrolluara vetëm nga aspekti i fitimit. Ekonomia e tregut nuk duron një ligj të tillë, për faktin se ne jemi të përcaktuar me kushtetutë si shtet i ekonomisë së lirë dhe pa ndikime nga shteti. Tregu i lirë ka çmime të ndryshme, por secili tenton që të shes më lirë, e përmes shkallës së ekonomisë të përfitoj nga shitje me realizim më të madh, duke përfituar klientelë sa më të madhe. Pra, nëse deri me tani ka pasur barnatore që ka shitur barna edhe me çmime të kostove, apo edhe nën kosto në disa raste, tani e tutje nuk do të ketë farmacistë të tillë, që do të thotë se të gjitha barnatoret do të shesin vetëm me fitim, pra çmimi do të jetë me i lartë se deri me tani, se paku për 10%. Njëjtë do të ishte edhe me unifikim të çmimeve të artikujve ushqimorë, për shembull, nëse do të unifikoheshin çmimet, atëheré nuk do të kishte çmime aksion apo zbritje të çmimeve, që shumica janë nën kosto apo në çmime të kostove, duke u shitur, dhe konsumatorët nuk do të përfitonin nga këto zbritje, sepse nuk do të kishte konkurrencë me shitje përmes çmimeve. Pra në ekonominë e tregut, çmimet i ulë konkurrenca, por që shteti duhet mos të monopolizojë ndonjë importues me ndonjë produkt përmes kufizimeve të caktuara në import duke favorizuar një ose dy kompani. Tek barnat më shumë kanë monopol kompanitë importuese të cilat përfitojnë duke qenë të favorizuara edhe nga shteti, për të mos futur shumë kompani produkte farmaceutike, ndërsa shitësit me pakicë të barnatoreve janë numër shume i madh i tyre, dhe nuk ishte se deri më tani kishin çmime te larta krahasuar me kostot e tyre. Kjo qeveri si kupton konceptet liberale, më tepër është e interesuar kah centralizimi i tregut, ndërhyrjes së shtetit dhe formave tjera kundër tregut te lirë, ndërsa shërbimet e tyre sidomos energjia elektrike që është në dorë te shtetit, është rritur mbi 100 % dhe nuk është ulur, edhe pse në gjithë botën ka pasur rënie që nga pandemia e deri më sot. Shteti nëpërmjet Zyrave rregullative duhet të caktoj çmimet e energjisë, ujit, shërbimeve të pastrimit, por jo ti fus hundët në produktet medicinale, barëra, artikuj të konsumit etj, sepse më pastaj do të dalim nga korniza ligjore dhe kushtetuta”. /Telegram News