Shpërthimi i zjarreve po ndodhë nga pakujdesia e qytetarëve, thotë Nehat Koqinaj nga Agjencia e Menaxhimit Emergjent.
Udhëheqësi i divizionit për çështje ligjore, marrëdhënie me publikun dhe ndërkombëtare në AME, thekson se gjatë intervenimeve në Prevallë, janë lënduar disa zjarrfikës.
Nehat Koqinaj konsideron se dora e njeriut është shkaktari kryesor në vënien e zjarreve.
“Në shumicën e rasteve, të gjitha statistikat thonë se zjarri shkaktohet nga pakujdesia në 99 për qind të rasteve, e pakujdesinë e shkaktojnë njerëzit. Që do të thotë se sipas gjasave njeriu është shkaktari kryesor i shpërthimeve të zjarreve në zonat ku po paraqiten si vatra zjarri dhe ato kryesisht po shkaktohen nga pakujdesia dhe për të mos ia shtuar edhe ndoshta qëllimet e këqija ose piromaninë ose nuk e di çfarë arsye por dora e njeriut është kryesisht shkaktari kryesor në vënien e zjarreve”, deklaron Koqinaj.
Zjarrvënia është vepër e rëndë penale, thekson Koqinaj, teksa shton se mund të sanksionohet me burgim të përjetshëm.
“Policia me Prokurorinë janë në investigim të rasteve të caktuara dhe natyrisht se zjarrvënia është vepër e rëndë penale, nuk është vetëm vepër penale. Vepër e rëndë penale sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës në dy nene ceket specifikisht zjarrvënia kur edhe mund të shkaktojë, prodhojë efekte në jetë njeriu është vepër e rëndë penale dhe sanksionohet me një nga nën nenet e Kodit Penal dhe me burgim të përjetshëm ku si pasojë vie deri tek rrezikimi dhe humbja e jetës së njeriut”, shton ai.
Derisa fton qytetarët për kujdes, Koqinaj tregon se gjatë intervenimit në Prevallë ku për disa ditë ka qenë vatër zjarri janë lënduar disa zjarrfikës.
“Në reagim në Prevallë sidomos kishte edhe disa pjesëtarë të njësive profesionale të zjarrfikës dhe shpëtimit të lënduar dhe si rezultat i atyre duhet pasur parasysh që në një të ardhme shumë të afërt kapacitetet e Kosovës për reagim të zhvillohen më shumë se sa që janë aktualisht dhe të mundësohet reagimi nga ajri në momentin e parë kur është i nevojshëm… Angazhimi qytetar ose përgjigja e komunitetit të kërcënuar ose afektuar nga një rrezik është çelës i zhvillimit të mëtutjeshëm. Bashkëpunimi i institucion përgjegjës me qytetari aktive i bën zgjidhje secilit problem në të ardhmen”, përfundon ai.
Për të shuar zjarrin në Prevallë, KFOR-i ka intervenuar me helikopterë, ku nuk është raportuar për rrezikim të banorëve përreth. /KP