Aksionet policore të ndërmarra në komunat Lipjan, Obiliq, Prishtinë, Fushë Kosovë, Vushtrri, Novobërdë, Kamenicë, Viti, Rahovec dhe Skënderaj, pa lejen e prokurorisë së shtetit, po konsiderohen veprime për fushatë zgjedhore.
Policia e Kosovës, veprimin operativ për mbylljen e zyrave paralele serbe në rajonet komunale të Kosovës e ka aprovuar mbi kërkesën e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, për ndërprerjen “shërbimeve të jashtëligjshme” të Serbisë në Kosovë.
Pas aksioneve policore, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka pohuar se ajo nuk e ka autorizuar Policinë e Kosovës për kryerjen e këtij operacioni, pasi, sipas saj, nuk ishte deponuar ndonjë kërkesë zyrtare.
Por, Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se veprimi policor në mbylljen e këtyre zyrave i jep fund epokës së komunave dhe institucioneve paralele e kriminale të Serbisë në Republikën e Kosovës.
E shqetësuar me mbylljen e zyrave paralele të Serbisë në Kosovë është shprehur edhe Shefja e UNMIK-ut, Caroline Ziadeh, e cila tha se veprime të tilla të njëanshme, rrezikojnë erozionin e mëtejshëm të besimit ndërmjet komuniteteve dhe autoriteteve të Kosovës”.
Analisti Selatin Retkoceri, lidhur me aksionet e policisë në mbylljen e zyrave paralele të Serbisë në Kosovë e ka cilësuar si veprim ku anashkalohet shteti institucional. “Mbyllja e zyrave ilegale të Serbisë në Kosovë janë vepra penale, sepse detyra për ti mbyllur ato i takon prokurorisë dhe gjykatës e jo Qeverisë dhe policisë. Aksioni i sotëm i Sveçlës e ka sulmuar sistemin prokurorial duke e shndërruar një vepër penale në kundërvajtje. Ministri Sveçla, duke tentuar të bëjë fushatë me çështje që nuk i takojnë atij, ka ndikuar në përkeqësimin e raporteve me Ambasadën e SHBA-së, Britanisë së Madhe dhe BE-së të cilat kanë reaguar në unison. Para pak ditësh ka bërë thirrje Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte, duke kërkuar që gjatë fushatës të mos ndërmerren kurrfarë aksionesh qeveritare që rrezikojnë sigurinë dhe procesin e zgjedhjeve. Shtrohet pyetja legjitime pse kryeministri ka nevojë të acarojë raportet me bashkësinë ndërkombëtare bash në kohën kur kemi nevojë imediate për ndihmën e tyre? Këtu duhet të përgjigjet kryeministri i vendit se çfarë planesh ka rreth të ardhmes euroatlantike të vendit, apo ndoshta e ka vendos të na dërgoj drejt Turqisë e Rusisë”, ka thënë Retkoceri.
Eksperti kushtetues Blerim Burjani:Mbyllja e zyrave paralele i takon prokurorisë
Lidhur me mbylljen e zyrave paralele të Serbisë në Kosovë eksperti kushtetues Blerim Burjani thotë: ” Kjo është shenjë e mos njohjes dhe mos vullnetit as të dijes se çfarë është shteti dhe organet e drejtësisë, rendit e ligjit, këto të gjitha cilësohen veprime politike të anashkaluara nga organet kompetente të cilave u takon ky problem. Mbyllja bëhet me polici, pa kallëzim penal, pa prokurori, dhe pa vendim gjyqësor, e kjo i bie në gjuhën popullore, “mbreti bën çka do vet”.
Nuk do koment se ky problem kalon përmes duarve të policisë dhe prokurorisë, por jo nga Qeveria. Këto janë veprime politike pa kompetencë, pra janë veprime politike pa respektuar punën e organeve tjera te rendit e ligjit. Këta po thonë po e kthejnë ligjshmërinë por pa respektuar organet tjera të rendit e ligjit pa procedurë, pa vendim ekzekutiv dhe pa procedura penale”, ka thënë Burjani. /Telegram News