Në rastin ku Andi Pajaziti po akuzohet për vrasjen e K.R., më 4 gusht 2023, në lokalin “Bon Vivant”, përfaqësuesi i palës së dëmtuari, avokati Flakron Sylejmani në fjalën hyrëse ka deklaruar se aktakuza e Prokurorisë është e mangët dhe kërkoi që i akuzuari të ngarkohet për “Vrasje të rëndë” e jo “Vrasje e kryer në gjendje të tronditjes së fortë mendore”.
Avokati Sylejmani tha se aktakuza është bërë me nxitim nga ana e Prokurorisë dhe se nuk janë kryer veprimet e nevojshme hetimore, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Fillimisht, më lejoni të ju them se kemi analizuar me kujdes aktakuzën dhe për ne si mbrojtje, kjo aktakuzë ka mangësi thelbësore. Ajo duket se është bërë me nxitim, duke mos vlerësuar mirë rastin dhe duke mos kryer të gjitha veprimet hetimore të nevojshme”, ka thënë avokati Sylejmani.
Ai po ashtu tha se në aktakuzë nuk është propozuar asnjë dëshmitar, përfshirë edhe gruan e tani të ndjerit e cila sipas tij, do të mund të jepte detaje interesante lidhur me rastin, e të cilat detaje kanë rëndësi në ndriçimin e të vërtetës.
Sipas tij, vrasja ka ndodhur e planifikuar mirë dhe se nuk është e kryer nga tronditja e fortë mendore dhe se pak para incidentit i akuzuari Pajaziti kishte armë të gjatë automatike dhe se lokali ishte demoluar nga i njëjti.
Për momentin e gjuajtjes me armë, avokati Sylejmani tha se i akuzuari Pajaziti e ka pasur fishekun në tytë të armës, çka sipas tij, kuptohet se ka qenë i gatshëm për veprim.
Avokati Sylejmani sqaroi se do të propozojë nxjerrjen e provave materiale dhe dëgjimin e disa dëshmitarëve, në mënyrë që të ndriçohet e vërtetat lidhur me vrasjen e K.R.
Sipas tij, ekspertiza nuk ka treguar asnjë element që sugjerojnë një tronditje mendore, madje edhe vetë raporti tek pjesa e statusit psikik ka përshkruar Pajazitin si i vetëdijshëm, i orientuar dhe pa pengesa në artikulim.
Sylejmani tha se pjesëmarrja e një neurologu në hartimin e ekspertizës është thelbësore për të kryer një vlerësim të plotë dhe të saktë të gjendjes mendore të një individi dhe se në rastin konkret, mungesa e këtyre specialistëve ka çuar në një ekspertizë jo të plotë dhe jo të saktë si dhe të paqartë.
Paraprakisht, fjalën hyrëse e dha prokurorja e rastit, Nebahate Salihu, e cila tha se përmes deklaratës së ekspertit do të sqarohet se si ka ardhur deri te veprimi i të akuzuarit Pajaziti dhe do të vërtetohet se vrasja është kryer nga gjendja e tronditjes së fortë mendore.
Ndërsa, mbrojtësi i Pajaziti, avokati Fanol Krasniqi në fjalën hyrëse ka thënë se gjatë gjykimit do të provojnë se qëllimi i Pajazitit nuk ka qenë që ta lëndojë dikë dhe se përmes argumenteve do ta vërtetojnë këtë, e të cilat argumente sipas tij dikujt mund t’i sjellin shqetësime.
Avokati Krasniqi tha se po ashtu se situata është ndërtuar asisoj në lokal që të tensionohet (situata) dhe të ndodh sulmi.
Sipas avokatit Krasniqi, në fund të gjykimit do të vërtetohet se mungojnë elementet e veprës penale për çka Pajaziti akuzohet nga Prokuroria, me arsyetimin se në veprimet e tij nuk ekziston dashja dhe kundërligjshmëria.
Më pas, seanca është ndërpre me kërkesë të palës së dëmtuar, pasi që nuk kanë qenë të njoftuar se në seancë do të dëgjohet eksperti mjeko-ligjor, Arsim Gashi, duke kërkuar nga gjykata që t’i jepet kohë e mjaftueshme për të përgatitur pyetjet ndaj Gashit.
Një kërkesë e tillë është kundërshtuar nga mbrojtja e Pajaziti, avokatët Fanol Krasniqi dhe Florent Latifaj me arsyetimin se gjatë fjalës hyrëse të palës së dëmtuar është folur për ekspertizën, e që sipas tyre del se janë të përgatitur për të ballafaquar ekspertin me të njëjtën.
Mbrojtja shtoi se Pajaziti gjendet nën masën e paraburgimit dhe se shtyrja e kësaj seance është padrejtë për të. /BetimipërDrejtësi