Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në forumin Ekonomik Zvicër-Kosovë 2024, ku ishte i ftuar për fjalë hyrëse të forumit.
Duke qenë se Kosova dhe Zvicra kanë një partneritet të fortë, kulturor e politik, kryeministri Kurti në fillim të fjalës së tij tha se është e natyrshme që kjo lidhje forcohet ekonomikisht çdo ditë, ndërkaq falënderoi të gjithë ata që punojnë në këtë drejtim.
“Ne jemi të bekuar me këtë partneritet, ose më mirë, me këtë miqësi të vërtetë. Ndaj më vjen mirë që ky forum na ofron mundësinë për të thelluar këtë partneritet, veçanërisht në fushën e tregtisë, investimeve dhe inovacionit teknologjik”, veçoi kryeministri, teksa theksoi se për Kosovën Zvicra është destinacioni i pestë më i madh i eksporteve dhe në vitin 2022 për herë të parë kemi shënuar bilanc pozitiv tregtar me Zvicrën duke eksportuar mallra në vlerë prej 64 milionë euro dhe importuar mallra në vlerë prej 39 milionë euro.
Kryeministri Kurti tha se jemi të përkushtuar për të krijuar një mjedis biznesi që tërheq investime dhe nxit një rritje të qëndrueshme.
“Së bashku, le të hapim rrugën për një partneritet më të fortë dhe më të begatë ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës”, tha ai në përfundim të fjalës së tij.
“Shoqëritë që, në një farë mënyre, përbëhen nga të njëjtët njerëz – me mbi 300,000 kosovarë që jetojnë në Zvicër, dhe më kanë thënë se është e vështirë të gjesh një spital, kompani apo shkollë që nuk punëson një vendas nga Kosova në gjenerata e parë ose e dytë. Dhe në Zvicër mund të gjejmë një kompani ku tani ka njerëz që ndoshta kanë lindur në Zvicër, por është e vështirë të gjesh një kompani ku ata nuk kanë një zviceran kosovar si punëtor atje apo edhe në menaxhim deri në nivel të lartë. Pra ky është një potencial i madh që më mirë ta përdorim shpejt dhe së bashku për të mirën reciproke të qytetarëve tanë dhe shtetit tonë”, tha Kurti.