Avokati Arianit Koci ka publikuar deklaratën e familjes së Liridon Rexhepit, i cili është arrestuar nga policia turke, të cilin Organizata Kombëtare e Inteligjencës Turke e ka identifikuar si kreun e rrjetit financiar të agjencisë izraelite të inteligjencës, Mossad në Turqi.
Në deklaratën e publikuar të familjes së Rexhepit, thuhet se janë të shqetësuar dhe se besojnë në pafajësinë e tij.
“Njëjtë sikur ju, edhe ne jemi të shqetësuar, njëkohësisht të befasuar, me arrestimin e vëllait tonë, Liridonit, nga autoritetet turke në Stamboll. Ne jemi të bindur që vëllai ynë është i pafajshëm, ngase asnjëherë të vetme nuk jemi të përfshirë në pretendimet që thuhen, as ne si familje, e as Liridoni”, thuhet në deklaratë.
Familja ka thënë se është e gatshme për bashkëpunim me secilin institucion të Kosovës apo edhe të Turqisë për ta sqaruar situatën.
“Të gjitha informatat eventuale, do të përcjellën përmes të autorizuarit tonë avokatit Arianit Koci. Me respekt, familja Rexhepi”, thuhet tutje në deklaratë.