Trajneri i Legia Varshavës, Goncalo Feio gjatë konferencës së mbajtur të mërkurën para ndeshjes me Dritën, kishte deklaruar se ka marrur informacione nga Qëndrim Zyba për gjilanasit.
“Analiza ishte e njëjtë si gjithmonë. Ne kontaktuam njerëz që e njohin mirë kundërshtarin. Ish-lojtari ynë, Qëndrim Zyba, na ka dhënë shumë këshilla. Po kështu Jurgen Celhaka. Ne po përgatitemi për këtë ndeshje në mënyrë të ngjashme me ndeshjen kundër Broendby”, deklaroi trajneri portugez.
Në lidhje me këtë gjë, reagimi ka qenë i menjëhershëm nga ish-futbollisti i skuadrës polake, Qëndrim Zyba.
Përmes një njoftimi në rrjetin social, “Facebook”, ai ka hedhur poshtë të gjitha pretendimet për këtë çështje.
“Ne natyren dhe edukaten time asnjehere sdo pranoja qe te bej dem’ per skuadrat kosovare’ sado qe nga koha e kaluar ato ishin kundershtare fushe per mua dhe ekipen time”, ka shkruar ndër tjerash Zyba.
Ndryshe, ndeshja mes Legia Varshavës dhe Dritës do të zhvillohet të enjten me fillim nga ora 18:00, e vlefshme për fazën play-off të Conference League.