Të paligjshme e konsideron përndjekjen e veteranëve të luftës nga Serbia, ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Faton Klinaku.
Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku thotë se qe nga paslufta kanë bërë thirrje që veteranët mos të kalojnë nëpër Serbi, Maqedoni të Veriut dhe Mal të Zi.
“Është e paligjshme që Serbia t’i ndjekë veteranët e luftës, sepse për çdo gjë që është bërë në Kosovë, kompetente për hetimin dhe gjykimin e rasteve të ndryshme gjatë luftës e ka vetëm Republika e Kosovës. Shtetet që i ndalojnë njerëzit, siç ishte rasti i fundit i ndalimit apo paraburgimit të një pjesëtari të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga Ferizaj që u paraburgos në Maqedoni e pastaj ia dhanë 30 ditë paraburgim, e pastaj e lëshuan në arrest shtëpiak dhe vendimi tash është marrë që të mos ekstradohet por të pritet edhe shkalla tjetër. Do të thotë që shtetet duhet ta dinë që pasi që t’i kalojnë apo t’i kryejnë këto procedura të Interpolit, që të them të drejtën ata nuk kanë edhe qare pa i kryer ato procedura sepse janë procedura që i kryen secili shtet që është i inkuadruar apo është i futur në Interpol, pasi t’i kryejnë procedurat duhet t’i kthejnë njerëzit në Kosovë sepse fletë arrestet që i ngrit Serbia janë të paligjshme”, deklaroi ai.
Klinaku u bën thirrje veteranëve që të bëjnë kujdes, ani pse disave nuk i figuron emri në këto lista.
“Vazhdimisht Serbia ka bërë përditësimin, ka bërë edhe aktivizimin kur i është dashur asaj politikisht. Sepse çdo gjë që bën Serbia e bën për qëllime të saj politike. Nuk do të thotë që njerëzit që nuk figurojnë në ato lista që nuk janë të rrezikuar. Unë po them që gjithë veteranët e luftës janë të rrezikuar që të kalojnë nëpër Serbi, por duhet të kenë kujdes edhe në shtete të tjera, qoftë në Mal të Zi, qoftë në Maqedoni për shkak se Serbia vazhdimisht po ngrit akuza ndaj tyre dhe po fut njerëz në Interpol. Normalisht, që përditësimin e listave Serbia çdo herë e ka bërë. Në ato lista kemi qenë edhe ne, dikë e ka hequr, e pastaj e ka futur”, tha ai.
Kryetari i Shoqatës së Invalidëve të Luftës të UÇK-së në Fushë Kosovë, Xhevdet Qeriqi thotë se autoritetet vendore duhet të dalin me sqarime lidhur me këto lista.
“Organet e sigurisë, në këtë rast Ministria e Punëve të Brendshme duhet të dalë me një sqarim edhe të jap informacion, se a është kjo listë zyrtare dhe nga ka ardhur. Nëse nuk është zyrtare, kush ka manipuluar me lista dhe të hetohet ky rast. Këshilla ime për secilin luftëtar që t’iu shmanget edhe Serbisë edhe shtetit të Maqedonisë, në këtë rast edhe të Malit të Zi, për arsye se tashmë e dimë se qeveritë e reja në Mal të Zi dhe në Maqedoni janë të afërta me Serbinë dhe është rrezik i depërtimit të secilit luftëtar në Serbi”, shprehet Qeriqi.
Ai shton se listat e publikuara janë me emër dhe mbiemër të veteranëve, për çka konsideron se paraqet rrezik.
“Normalisht që rrezikohet jeta e tyre, sepse janë publikuar edhe të dhëna të atyre luftëtarëve. Kështu që është e domosdoshme Ministria e Punëve të Brendshme apo Ministria e Punëve të Jashtme, s’e di cila e ka për kompetencë që të dalë për të sqaruar se a janë këto lista zyrtare dhe si kanë qarkulluar në Kosovë”, tha ai.
Avokati Ardian Bajraktari thotë se përfshirja e veteranëve në listën e Interpolit, nuk po ndodh për herë të parë.
“Institucionet tona, me theks të veçantë Ministria e Drejtësisë përmes kanaleve të komunikimit përmes fushës së bashkëpunimit juridik ndërkombëtar duhet të punojnë në dy drejtime. E para që edhe në kuadër të mekanizmit të Interpolit, pavarësisht faktit që ne nuk jemi anëtare megjithatë kemi raporte komunikimi, përfshirë edhe shteteve të rajonit, por edhe të tjerave të ju bëhet e qartë se kërkesa të tilla janë të motivuara politikisht nga ana e autoriteteve serbe. Përpiqen të shfrytëzojnë momentume të caktuara, por mbi të gjitha natyrisht vlerësoj se edhe ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të përpiqen që t’i shmangin për aq sa është e mundur vendet në të cilat natyrisht që nuk kemi raporte të mira dhe korrekte të bashkëpunimit”, përfundon ai.
Për veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Bajraktari konsideron se është sfidë, teksa shton se po vazhdojnë të paguajnë çmimin e lirisë. /kp