Sot janë bërë 16 ditë nga hyrja në grevë e minatorëve të ndërmarrjes publike “Trepça”, për shkak të mosrealizimit të pagave të muajit qershor dhe shujtave ushqimore. Kështu është deklaruar, kryetari i Sindikatës së Minatorëve, Ibrahim Januzi, duke thënë se në mungesë të pagës dhe shujtave minatorët nuk kanë pranuar të kthehen në vendet e tyre të punës.
Ndërmarrja nuk ka dhënë afat për realizimin e pagesave duke thënë se po mundohen ta zgjidhin këtë situatë sa më shpejtë, derisa me mungesën e minatorëve në punë, “Trepça” humb rreth 30 mijë euro në ditë.
Januzi shtoi se nuk kanë marr ndonjë përgjigje nga menaxhmenti për zgjidhjen e kësaj çështje.
“Minatorët tash e 16 ditë nuk e kanë filluar punën në minierë për shkak të mos realizimit të pagës së muajit qershor dhe shujtat ushqimore. Në mungesë të këtyre minatorët nuk kanë pranuar të kthehen në vendet e punës për shkak të mungesës së pagës dhe shujtave ushqimore. Çka është më shqetësuese është se menaxhmenti dhe bordi mbikëqyrës, vetëm menaxheri ka ardh njëherë dhe asnjëherë nuk kanë ardh me dhanë ndonjë përgjigje për një zgjidhje konkrete apo me ju qas këtij problemi për me zgjidh problemet me dialog apo me ndonjë zgjidhje konkrete….Menaxhmenti po thotë se ndërmarrja ka shumë probleme, shumë borxhe. Si rezultat i keqmenaxhimit dhe këtë e vërtetojnë edhe të gjeturat e auditorit që kanë gjetur shumë keqpërdorime në ndërmarrjen Trepça mirëpo minatorët nuk janë përgjegjës për këtë. Për këtë përgjegjësinë duhet ta mbaj qeveria dhe njerëzit që i ka delegu ose përzgjedh për menaxhim. Këta janë përgjegjësit kryesor dhe ata që duhet me i zgjedh problemet dhe minatorët i kërkojnë pagat”, tha Januzi.
Januzi ka njoftuar poashtu se minatorët grevën nuk janë duke e zhvilluar në minierë për shkak të ruajtjes së shëndetit të tyre.
“Nuk janë prezent në minierë për shkak me ruajt shëndetin e tyre. Pothuajse Njësia Biznesore e Minierave me Flotacion në mungesë të punës në minierë është pothuajse e gjitha në grevë për shkak se kur nuk punojnë minatorët nuk mund të punoj askush. Kërkesa është e të gjithëve sepse paga është elementare, bazike dhe obligim i çdo kompanie për me siguru. Njësia Biznesore e Minierave me Flotacion numëron rreth 700 punëtor. Sa i përket këtij organizimi nuk është nën organizimin e sindikatës mirëpo ne jemi të deleguar për mi mbrojt interesat e dhe të drejtat e tyre dhe për asnjë moment ne minatorët nuk do të heshtim që me ngrit zërin e tyre kuro që na jepet mundësia dhe hapësira”,shtoi Januzi.
Zyrtarja për komunikim me publikun nga ndërmarrja Trepça Donika Osmani Mehmeti, tha se kjo ndërmarrje ndodhet në një situatë të pa favorshme për atë arsye pagat nuk po ekzekutohen me kohë.
“Sot është dita e 16 e grevës do me thënë minatorët e kanë filluar grevën e tyre më 10 korrik. Kërkesa e tyre specifike dhe e vetme është ekzekutimi i pagës së muajit qershor ndërsa shujta ditore është pjesë e pagës. Në momentin që ekzekutohet paga e muajit qershor do të ekzekutohet edhe shujta ditore për të gjithë minatorët….. 02:30 Ka disa muaj që punëtorët e ndërmarrjes Trepça nuk po arrijnë t’i marrin pagat me kohë që do të thotë është 1 deri në 10 fillimi i çdo muaji që do të duhet të ekzekutoheshin pagat për shkak se ndërmarrja Trepça ndodhet në një situatë të pa favorshme të cilës i kanë parapri problemet që nga e kaluara. Do me thënë nuk po arrin t’i ekzekutoj pagesat me kohë”, shtoi ajo.
Ndërkaq Osmani-Mehmeti tha se janë duke u munduar që ta zgjidhin këtë situatë sa më shpejt.
Ajo ka thënë se humbjet ditore të ndërmarrjes për çdo ditë të grevës së minatorëve të Trepçës është rreth 30 mijë euro.
“Në vazhdimësi menaxhmenti i ndërmarrjes Trepça ka pasur takim me minatorët grevistë, po mundohemi që sa më shpejtë të zgjidhet kjo situatë në të cilën ndodhet ndërmarrja Trepça dhe minatorët të kthehen në vendin e tyre të punës…. 01:30 Nuk mund të dimë se kur do të realizohen kërkesat e tyre po e bëjmë të pamundurën që të zgjedhim çështjen e pagave, bordi mbikëqyrës i ndërmarrjes Trepça së bashku me menaxhmentin janë në kontakt të vazhdueshëm me qeverinë për ta zgjedhur situatën në të cilën ndodhet Trepça. Ndërsa për çdo ditë të grevës së minatorëve të Trepçës numri i humbjeve ditore është rreth 30 mijë euro”, tha Osmani-Mehmeti./kp