Sot do të zhvillohet takimi midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq në Bruksel, shkruan Telegrami.
Ky takim i cili vie pas më shumë se nëntë muajsh me një rund të ri bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve, sipas Qeverisë në fokus do ta ketë zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve, Aneksit për zbatimin e saj dhe rrugën përpara.
E emisari special i BE-së, Miroslav Lajcak ka thënë se javën e fundit ia ka kushtuar përgatitjeve të thella për këtë takimin, duke theksuar se tashmë gjithçka është gati.
“Me takimin e nivelit të lartë të Dialogut për Normalizimin e Marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që mbahet nesër, javën e fundit ia kam kushtuar përgatitjeve të thella. Kam vizituar Kosovën dhe Serbinë për të diskutuar qëllimin e këtij takimi – të shqyrtohen të arriturat dhe të planifikohen hapat e ardhshëm, veçanërisht në lidhje me zbatimin e Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit”, ka thënë Lajçak.
Ai para takimit të sotëm tha se shpreson që kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiq, do të shkojnë me vision dhe kurajë politike.
“Bisedat tona ishin të hapura, të sinqerta dhe të rëndësishme për procesin e normalizimit. Unë gjithashtu bëra një ndalesë të shpejtë në Greqi për të diskutuar perspektivën e pranimit të Ballkanit Perëndimor në Konferencën e Paqes dhe Rritjes së Qëndrueshme në Athinë. Gjithçka është vendosur për nesër dhe ne shpresojmë që të dy liderët të vijnë me vizionin dhe guximin politik të nevojshëm për t’i sjellë Kosovën dhe Serbinë më afër të ardhmes së tyre evropiane”, ka shtuar ai.
Ndryshe gjatë ditës së djeshme Kurti para gazetarëve tha se në Bruksel do të udhëtojë për të parë se në çfarë gjendje ndodhet dialogut.
“Të shohim se në çfarë gjendje ndodhemi dhe cilat janë idetë se si mund të ecët para. Për bindjen time, Marrëveshja Bazike me Aneksin e Ohrit e bën normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë me njohje së paku de-facto në qendër”, tha Kurti.
Derisa përmendi edhe shkeljet që Serbia ia ka bërë Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të Ohrit.
“Kemi pasur shkelje sistematike të saj që ka kulmuar me letrën e kryeministres Bërnabiq, ku Serbia u tërhoq nga Marrëveshja Bazike dhe prej aty na vijnë të gjitha problemet. Pra, nga shkelja e Marrëveshjes Bazike vijnë problemet në raportin me Serbinë”, tha Kurti.
Në anën tjetër, shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, tha më 24 qershor se shpreson të ketë përparim në dialog dhe kujtoi se ekziston një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve, e cila duhet të zbatohet në terren.
Borrell tha se problem mbetet mos zbatimi i marrëveshjeve të arritura deri më tani.
Nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, Kosova dhe Serbia janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve nga viti 2011, por shumë nga dhjetëra marrëveshjet e arritura mbeten pa u zbatuar.
Teksa takimi i fundit mes tyre, më 14 shtator 2023, përfundoi pa ndonjë dakordim./Telegrami.co