Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, tha se ai do të marrë vendimin lidhur me ftesën e presidentit rus, Vladimir Putin, për takimin e BRICS-it më 10 apo 15 tetor.
Gjatë vizitës në punimet për rindërtimin e një ure në Karakaj, në pikën kufitare me Bosnje e Hercegovinën, Vuçiq u tha gazetarëve se ai nuk dëshiron që ta refuzojë apo të pranojë çdo gjë.
“Nuk ka dyshim se është ftesë e rëndësishme, siç keni organizuar më herët vizita të rëndësishme”, tha Vuçiq, duke shuar se nuk mund të tregojë se për çfarë vizite bëhet fjalë, por të gjithë do ta shohin se ishte e rëndësishme.
Udhëheqësi serb shtoi se është krenar me politikën “e pavarur” të Serbisë.
“Serbia është në rrugën evropiane, por ka politikën e saj dhe nuk do të heqë dorë nga miqtë e saj tradicionalë, përfshirë Kinën dhe Rusinë. Ne duam të ruajmë këto miqësi, teksa zotohemi për një të ardhme ndryshe”, shtoi Vuçiq.
Samiti i BRICS-it, ku bëjnë pjesë Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut, do të mbahet nga 22 deri më 24 tetor në qytetin rus të Kazanit.
Putin e kishte ftuar Vuçiqin dhe zëvendëskryeministrin serb, Aleksandar Vulin, që të marrin pjesë në samitin e BRICS-it, gjatë margjinave të Forumit Ekonomik Lindor, që u mbajt më 4 shtator në Vlladivostok.
Në përgjigjen e parë publike për këtë ftesë, Vuçiq deklaroi më 5 shtator se Serbia do të ketë “miq të rëndësishëm nga jashtë” gjatë samitit të BRICS-it.
Serbia është në mesin e pak shteteve në Evropë që refuzon t’iu bashkohet sanksioneve ndërkombëtare kundër Moskës, pasi Rusia nisi pushtimin e Ukrainës shkurtin e vitit 2022./rel